Futboll

Video/ Vlahoviç nuk mjafton, vetëm barazim për Juventusin ndaj Vilarrealit

Juventusi nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në fushën e Vilarrealit, duke e lënë gjithçka të hapur sa i takon kualifikimit në Champions. Sfida nisi shumë mirë për italianët, të cilët shënuan që në ‘tunel’, por ‘Nëndetësja e verdhë’ nuk u dorëzua dhe barazoi në pjesën e dytë.

Sulmuesit serb, Dushan Vlahoviç, i mjaftuan 32 sekonda për të çuar topin në rrjetë pa e parë portën. Ndeshja e parë në Europë për të, prekja e parë e topit dhe goli i parë. Më mirë se kaq nuk mund të niste ndeshja për të dhe Juventusin në Spanjë.

Vilarreali reagoi mirë dhe ia doli të barazonte me Dani Parejon në pjesën e dytë. Zëvendësimet e Alegrit, i cili hodhi në fushë Bonuçin, Artur dhe Zakarian, nuk dhanë rezultat. Vlahoviç iu afrua golit në minutat e fundit, por u ndal nga Ruli. Për këtë transfertë berdhinjtë nuk kishin të gatshëm Dibalën, Kiezën, Kielinin dhe Bernardeskin, mungesa shumë të rëndësishme.

Në ndeshjen tjetër, Çelsi zgjidhi gjithçka me lehtësi ndaj Lilës. Kai Havertz në pjesën e parë dhe Pulisiç në të dytën shënuan golat e fitores për londinezët, të cilët kanë hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë