Dy autogola dhe golat e Laportes, Sarabias dhe Torresit kanë ndezur ambicjet e djemve të Luis Enrikes. Spanja e mbyll në vend të dytë, pas Suedisë që mundi 3-2 Poloninë dhe ruajti vendin e parë me 7 pikë. Sllovakia i jep lamtumirën Europianit.
Spanja pritej të reagonte dhe kështu ka ndodhur. Një fitore e thellë ndaj Sllovakisë, 5-0, në ndeshjen e fundit në Grupin E të Euro 2020. Iberikët kualifikohen si të dytët në grup, pas 2 barazimesh dhe një fitoreje, ndërsa në fazën e 1/8-ve do të ndeshen me Kroacinë e Luka Modriç.
Pas penalltisë së humbur nga Alvaro Morata, për të zhbllokuar ndeshjen mendoi portieri i Sllovakisë, Dubravka, që shkaktoi një autogol të çuditshëm. Në fundin e pjesës së parë mbrojtësi Laporte dyfishoi shifrat dhe në pjesën e dytë Spanja realizoi edhe 3 gola të tjerë me Sarabian (56'), Ferran Torres (67') dhe një autogol të Kuçkës (72'). Trajneri Enrike mund të marrë frymë lirisht, pas kritikave të shumta.
Sllovaki-Spanjë 0-5
Sllovakia (4-2-3-1): Dubravka, Pekarik, Satka, Shkriniar, Huboçan, Kuçka, Hromada (Lobotka), Haraslin (Suslov), Hamshik (Benes), Mak (Veis), Duda (Duris). Trajner: Tarkoviç
Spanja (4-3-3): Unai Simon, Azpilikueta (Traore), Laporte, Garsia (Pau Torres), Alba, Koke, Buskets (Tiago Alkantara), Pedri, Moreno (Oiarzabal), Morata (Ferran Torres), Sarabia.
Trajner: Luis Enrike
Arbitër: Kuipers (Holandë)
Shënues: Dubravka 30 (autogol), Laporte 45', Sarabia 56’, Ferran Torres 67’, Kuçka 72’(autogol)
Suedia e ka mbyllur grupin në vend të parë, pas fitores 3-2 ndaj Polonisë së Paulo Sousës, që duhet të kthehet në shtëpi. Në Shën Pietërburg, skandinavët shënuan dy gola me të njëjtin lojtar, Emil Forsberg, i cili gjeti avantazhin pas 90 sekondash dhe në të 59' realizoi pas asistit të Kulusevskit. Dy gola shënoi në këtë ndeshgje edhe Robert Levandovski, duke barazuar përkohësisht, sepse në shtesë Klaeson i dha fitoren dhe vendin e parë Suedisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.