Futboll

Video/ Uzuni hyn në histori me 6 gola, tifozët e Lacios prekin Tomas Strakoshën

Myrto Uzuni ka hyrë në historinë e futbollit hungarez. Futbollisti i Kombëtares shqiptare ka shënuar plot 6 gola në fitoren 0-9 të Ferencvaroshit në Kupë ndaj një ekipi të kategorive inferiore. Beratasi ka pushtuar sot shtypin sportiv me këto 6 gola, sepse në Hungari nuk ndodhte diçka e tillë prej vitit të largët 1960.

Florian Albert, i njohur në Hungari si “Perandori”, në atë vit realizonte 6 gola për Ferencvaroshin ndaj Debrecenit, duke vendosur një rekord absolut, që pas kaq shumë vitesh është barazuar nga Myrto Uzuni, sulmuesi kuqezi që po bën për vete gjithë Hungarinë.

Një ditë e veçantë ishte sot për Tomas Strakoshën, portierin e Kombëtares, që vinte pas gafës në Turqi, në Ligën e Europës. Tifozët e Lacios e kanë befasuar gjatë ndeshjes me Kaljarin, duke i kushtuar një banderolë dhe duke thirrur në kor emrin e tij. Një gjest shumë i bukur ky, që e ka prekur jo pak Strakoshën në stol.

“Non ti curar di loro, ma guarda e para. Daje Strakosha (Mos mendo për ta, por shiko përpara dhe prit. Forca Strakosha”, – shkruhej në banderolën e madhe të tifozëve të Lacios. Strakosha qëndroi në stol në këtë ndeshje, që përfundoi në barazim, 2-2. Futbollisti tjetër i Kombëtares, Elseid Hysaj, luajti 90 minuta.

Ka debutuar sot me fanellën e Specias në Serinë A sulmuesi Rei Manaj, i cili u aktivizua në minutën e 70-të të ndeshjes me Venecian. Specia e tij fitoi me rezultatin 1-2. Po ashtu, titullarë ishin me Empolin mbrojtësi Ardian Ismajli dhe mesfushori Nedim Bajrami në humbjen 0-3 ndaj Sampdorias. Kumbulla qëndroi në stol te Roma në humbjen 3-2 në fushën e Veronës.

Vazhdon momenti i mirë për Ernest Muçin te Legia e Varshavës. Sulmuesi kuqezi luajti titullar në kampionatin polak ndaj Lecznas dhe shënoi golin e dytë në fitoren 3-1 të skuadrës së tij. Në fund pati minuta edhe për Jurgen Çelhakën, mesfushorin që pak kohë më parë ka kaluar te Legia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë