Futboll

Video/ Uzuni has pengesat e para në Spanjë, shkakton penallti dhe humb raste

Gazeta Si – Që nuk do të ishte si në Kroaci apo në Hungari, ishte e qartë. Megjithatë, shpresat ishin që Myrto Uzuni të përshtatej mirë edhe në La Liga, në një prej 5 kampionateve më të forta në Europë dhe të merrte rol protagonisti.

Rolin e protagonistit në fakt e ka marrë sot ndaj Vilarrealit, por në sensin negativ. Granada e tij u mund në shtëpi 1-4 dhe gabimet e Uzunit i kushtuan jo pak asaj. Beratasi në fakt e nisi ndeshjen nga stoli, por vetëm pas 13 minutash ai u fut në fushë, duke zëvendësuar francezin Gonalons.

Më pas sulmuesi kuqezi shkaktoi një penallti, pasi bëri një ndërhyrje të gabuar në zonë, madje arbitri i tregoi edhe kartonin e kuq para syve, por në këtë rast e shpëtoi VAR-i, që e bëri të verdhë kartonin. Vilarreali kaloi në avantazh me Danjuman, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë.

Gjatë ndeshjes Uzuni pati edhe dy mundësi shumë të mira shënimi, por nuk pati sukses. Në rastin e parë zgjodhi të pasonte dhe gaboi, kurse në të dytin gjuajti jashtë.

Futbollisti i Kombëtares po has vështirësitë e para në Spanjë dhe duket se është goditur psikologjikisht nga fakti që nuk po arrin të zhbllokohet dhe të shënojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë