Nuk do të mungonte në konferencën për shtyp të Kombëtares në prag të ndeshjes me Hungarinë Myrto Uzuni, sulmuesi që aktivizohet pikërisht në kampionatin hungarez me Feencvaroshin. Ai e njeh më mirë se të gjithë kundërshtarin e 9 tetorit dhe parashikon një ndeshje të bukur në Budapes. Mungesën e tifozëve hungarezë Uzuni nuk e sheh si favor për Shqipërinë.
“Jam në formën më të mirë të karrierës, por Kombëtarja është gjë tjetër, nuk ka rëndësi se kush luan. Hungarinë e njoh mirë, stërvitem me lojtarët që do të luajnë ndaj Shqipërisë. Atje ndihet shumë sfida, në dhomat e zhveshjes flasin për këtë takim dhe presin që të luhet një ndeshje e fortë.
Mungesa e tifozëve? Nuk është favor, Hungaria luan më mirë pa tifozë, ka bërë rezultate pozitive. Do të fitojë ekipi që vendos zemrën dhe shpirtin në fushë. Në mentalitetin tim nuk është të futem për barazim në fushë, vetëm për fitore. Sfida është e fortë, janë dy trajnerë italianë, kemi të njëjtën skemë loje, por të shohim”, – ka theksuar Uzuni mes të tjerash.
Pas beratasit, ka folur mesfushori i Espanjolit, Keidi Bare, i cili ka thënë se Kombëtarja është në rritje të vazhdueshme dhe se objektivi është vendi i dytë: “Kombëtarja e Shqipërisë po bën ndeshje shumë të mira dhe synimi ynë është që të zëmë vendin e dytë, pse jo dhe të kualifikohemi për në Botëror. Por janë dy ndeshje shumë të vështira këto që kemi përpara.
Ndihem shumë mirë me profesorin Reja. Ai më ka mësuar shumë, sidomos si të veproj në lojën pa top, por nuk është vetëm profesori, është edhe grupi i lojtarëve. Misterin dua ta falënderoj”, – u shpreh Bare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




