Kombetarja

Video/ Uzuni çlirohet në kampionat, Bajrami nuk i fal penalltitë

Fundjava që lamë pas ishte pozitive në aspektin personal për disa nga futbollistët e Kombëtares. Myrto Uzuni dhe Nedim Bajrami kanë gjetur rrugën e rrjetës, duke kontribuuar në fitoret e skuadrave të tyre në kampionat.

Myrto Uzuni është çliruar më në fund në kampionat, ku nuk shënonte që në muajin gusht. Ai ishte protagonist në fitoren 3-1 të Ferencvaroshit ndaj Ujpeshtit, me një penallti të fituar që në minutat e para të ndeshjes, më pas dha një asist për golin e dytë dhe në fund realizoi golin e tretë. Beratasi ka shpërthyer në atë moment, duke shkarkuar gjithë ngarkesën psikologjike të krijuar nga mungesa e golit në kampionat.

Në Itali, Empoli i shqiptarëve ka mundur 4-2 Bolonjën dhe në këtë fitore ka lënë shenjën e tij edhe Nedim Bajrami. Mesfushori kuqezi realizoi golin e tretë me penallti dhe ky është goli i dytë për të në Serinë A, po nga pika e bardhë e penalltisë. Bajrami i ndërrua në fundin e ndeshjes, duke ia lënë vendin një tjetër shqiptari, Kristjan Asllanit, kurse Ismajli ishte i skualifikuar.

Elseid Hysaj ka kaluar një mbrëmje shumë të bukur të dielën, duke fituar derbin e parë me fanellën e Lacios. Shkodrani është vlerësuar me notën 6 për paraqitjen e bërë në këtë ndeshje, ku munguan kuqezinjtë e tjerë, Strakosha dhe Kumbulla, të dy në stol. Berat Gjimshiti luajti në pjesën e dytë të ndeshjes me Interin, ku Atalanta barazoi 2-2. Edhe Rei Manaj u aktivizua si zëvendësues në humbjen e Specias ndaj Milanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë