Euro 2020

Video/ Ukraina rigjen buzëqeshjen, Maqedonia e Veriut pëson humbjen e dytë

Një ndeshje plot emocione dhe spektakël është luajtur në Bukuresht, ku Ukraina ka marrë fitoren e parë në grup dhe shpreson të kualifikohet, ndërsa Maqedonia e Veriut ka pësuar humbjen e dytë në po kaq ndeshje dhe është thuajse jashtë Euro 2020.

Në xhiron e dytë të ndeshjeve në grup, Ukraina ka lënë pas humbjen dramatike me Holandën dhe ka mundur 2-1 Maqedoninë e Veriut, ende pa pikë në Grupin C. Skuadra e Shevçenkos bëri një pjesë të parë shumë të mirë dhe shënoi në 5 minuta dy gola, me Jarmolenkon në të 29-ën dhe Jaremçuk në të 34-ën. Pandevit iua anulua një gol për pozicion jashtë loje.

Pandev me shokë luftuan deri në fund dhe në minutën e 57-të shkurtuan diferencën me Alioskin, që gaboi nga pika e bardhë, por korrigjoi vetë gjithçka dhe e dergoi topin në rrjetë. Në fund një penallti humbi edhe Ukraina me Malinovskijn. Nga futbollistët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, në fushë ishin Alioski, Ademi, Musliu dhe Bardhi. Ndeshjen e fundit maqedonasit e kanë me Holandën, kurse Ukraina me Austrinë.

Ukrainë-Maqedoni e Veriut 2-1
Ukraina (4-3-3): Bushçan, Karavajev, Zabarnij, Matvienko, Mikolenko, Shaparenko (Sidorçuk), Stepanenko, Zinçenko, Jarmolenko (Tsigankov), Jaremçuk (Besedin), Malinovskij (Sobol). Trajner: Shevçenko
Maqedonia e Veriut (3-4-1-2): Dimitrievski, S.Ristovski, Velkovski (Triçkovski), Musliu, Nikolov (Trajkovski), Ademi (Ristevski), Spirovski (Çurlinov), Alioski, Bardhi (Avramovski), Pandev, Elmas. Trajner: Angelovski
Arbitër: Rapalini (Argjentinë)
Shënues; Jarmolenko 29’, Jaremçuk 34’, Alioski 57’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë