Futboll

Video/ Tronditet Barcelona në Ligën e Europës, Eintrahti e eliminon në ‘Camp Nou’

Gazeta Si – Barcelona jashtë Ligës së Europës. Një eliminim i bujshëm për katalanasit, me rezultatin 2-3. Në “Camp Nou” ka bërë ligjin Eintrahti i Frankfurtit, i mbështetur nga rreth 30 mijë tifozë. Llogaritë u komplikuan në shtesë, kur Barcelona realizoi 2 gola, por pa mundur të barazojë.

Gjermanët kaluan në avantazh me një penallti të kthyer në gol nga Kostiç, ndërsa Borre realizoi një eurogol nga distanca. Trajneri Ksavi Hernandez ndërhyri nga stoli, duke hedhur në fushë Frenki De Jong dhe më pas Traore, Dest, Luk de Jong dhe Depai, por golin e gjetën sërish miqtë dhe sërish me Kostiç.

Barcelona, e shokuar nga rezultati, shënoi në minutën e parë shtesë me Bukskets, të cilit më parë iu anulua një gol për prekje të topit më dorë. Shtesa zgjati 12 minuta dhe në fundin e saj katalanasit fituan një penallti, që u kthye në gol nga Depai. Ndeshja e parë ishte mbyllur 1-1.

Ka përfunduar në çerekfinale edhe aventura europiane e Berat Gjimshitit me Atalantën, që është mundur në fushën e saj nga Lajpcigu, me rezultatin 0-2. Ndeshja e parë kishte përfuduar 1-1 dhe bergamaskët janë eliminuar. Mbrojtësi i Kombëtares, Gjimshiti, vjen nga një dëmtim dhe nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje.

Dy skuadrat e tjera të kualifikuara për në gjysmëfinale të Ligës së Europës janë Uest Hemi, që mundi 0-3 Lionin në Francë, dhe Gllasgou Rejnxhërs, që fitoi 3-1 në shtesë ndaj portugezëve të Bragës. Këta të fundit e përfunduan ndeshjen me 9 vetë.

Liga e Europës, gjysmëfinalet
Uest Hem-Eintraht Frankfurt
Gllasgou Rejnxhërs-Lajpcig


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë