Futboll

Video/ Tris edhe Sampdorias, Juventusi regjistron fitoren e dytë radhazi

Në “lunch match” të javës së 6-të të Serisë A, Juventusi ka mundur Sampdorian me rezultatin 3-2, duke regjistruar kështu fitoren e dytë radhazi, që e ngjit skuadrën e Alegrit në kuotën e 8 pikëve.

Ishte një ndeshje me shumë raste për shënim në “Allianz Stadium”. Paulo Dibala zhbllokoi shifrat pas 10 minutash me një të majtë në hyrje të zonës dhe më pas la fushën mes lotësh për shkak të një dëmtimi muskulor. Në fund të pjesës së parë dyfishoi rezultatin Bonuçi me penallti, por vetëm një minutë më pas Joshida shkurtoi diferencën në 2-1 me kokë.

Në pjesën e dytë Lokateli firmosi trisin bardhezi, ndërsa 7 minuta para fundit Kandreva vetëm sa shtoi ankthin te juventinët me golin e dytë për Sampdorian. Pas suskesit të parë ndaj Specias, Juventusi arrin edhe të dytin dhe sërish me 3 gola të shënuar, por njëkohësisht edhe me 2 gola të pësuar, çka shqetëson trajnerin Alegri. Gjithsesi, në këtë moment kanë rëndësi pikët dhe Juventusi duket se është rinisur drejt kreut, që mbetet ende larg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë