Shpresat e Milanit për të kaluar grupin u dukën të mëdha, kur Tomori e kaloi në avantazh ekipin e tij, por më pas situata u përmbys nga Liverpuli, edhe pse trajneri Klop nuk luajti me më të mirët në këtë ndeshje. Milani e ka mbyllur në vend të fundit në Grupin B, ku fati i ka buzëqeshur Atletikos së Madridit, që është kualifikuar me vendin e dytë pas fitores në Portugali. Kuqezinjtë nuk ditën të përfitonin nga humbja e Portos.
Trajneri Stefano Pioli kishte shumë mungesa në këtë sfidë, megjithatë kuqezinjtë arritën të shënonin të parët. Më pas Salah dhe Origi shuajtën ëndrrën e Milanit për kualifikim, duke shënuar 2 golat e fitores së Liverpulit në “San Siro”, pas gabimeve në mbrojtje të ekipit italian, që i ka dhënë kështu lamtumirën Europës.
Në ndeshjen tjetër të grupit mes Portos dhe Atletikos së Madridit, tensioni ishte shumë i lartë, çka reflektohet edhe në tre kartonët e kuq, një për Karraskon e Atletikos dhe dy të tjerët për Vendel dhe Markesin të Portos. Skuadra e Simeones fitoi 1-3, me gola të Grizmanit, Korreas dhe De Paul, portugezët shkurtuan në shtesë me penallti.
Real Madrid ka fituar pastër ndaj Interit në sfidën e Grupit D. Madrilenët triumfuan 2-0 ndaj italianëve, me gola të Toni Kros në pjesën e parë dhe Asensio në të dytën. Interi luajti me 10 vetë për më shumë se 25 minuta, pasi Barela u ndëshkua me karton të kuq.
Në Grupin A, PSG fitoi thellë ndaj Bryzhit, 4-1, me dy dopieta të Kilian Mbape dhe Lionel Mesit. Gjithsesi, francezët e mbyllën në vend të dytë, pas Mançester Sitit, që humbi 2-1 në Gjermani ndaj Lajpcigut, por e kishte siguruar kreun.
Nga 4 grupet e para, tetë skuadrat e kualifikuara për në turin tjetër të Ligës së Kampionëve janë Mançester Siti, PSG, Ajaksi, Sportingu i Lisbonës, Liverpuli, Atletiko i Madridit, Reali i Madridit dhe Interi.
Liga e kampionëve, ndeshjet e fundit në grupe
Sot
PSG-Bryzh 4-1
Lajpcig-Mançester Siti 2-1
Milan-Liverpul 1-2
Ajaks-Sporting 4-2
Borusia D.-Beshiktash 5-0
Porto-Atletiko Madrid 1-3
Real Madrid-Inter 2-0
Shakhtar D.-Sherif Tiraspol 1-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




