Tirana ka dalë e fituar në javën e 5-të të Abissnet Superiores. Ajo ka mundur 2-3 Teutën në “Elbasan Arena” dhe duke përfituar edhe nga rezultatet e rivalëve, është shkuputur në krye të klasifikimit, në kuotën e 11 pikëve.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për bardheblutë, të cilët, pa u mbushur ende një minutë lojë, realizuan me anë të Xhixhës. Teuta reagoi mirë dhe arriti të barazonte me mbrojtësin Ivanoviç, pas krosit nga një goditje dënimi.
Në fillim të pjesës së dytë ishte Teuta që e pa veten në avantazh, pasi mbrojtësi i Tiranës, Najdovski, në përpjekje për të larguar topin nga zona, e dërgoi atë në rrjetën e vet. Pa fat maqedonasi i Tiranës. Por rezultati u barazua pas një minute, kur Seferi, i futur në lojë në pjesën e dytë, pasoi saktë për Totre dhe ky gjuajti saktë në zonë.
Goli që vendosi fatet e ndeshjes do të vinte në minutën e 64-të, pas ekzekutimit mjeshtëror të një goditjeje dënimi nga ana e Vesel Limajt, i cili e dërgoi topin aty ku portieri Qirko nuk mund të arrinte dhe 2-3. Rezultat që nuk ndryshoi deri në fund dhe fitorja i takoi Tiranës, që e pret me moral të lartë derbin e javës së ardhshme me Partizanin. Teuta mbetet në kuotën e 8 pikëve.
Abissnet Superiore, java e 5-të
Sot
Partizani-Kukësi 1-1
Teuta-Tirana 2-3
Të shtunën
Laçi-Egnatia 0-1
Kastrioti-Skënderbeu 2-0
Të hënën
Vllaznia-Dinamo
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




