Futboll

Video/ Tirana thellon diferencën në krye, Partizani i jep leksion Teutës

Java e 19-të e Abissnet Superiores ka luajtur sot tri ndeshjet e para të saj. Tirana kryesuese ka bërë detyrën në “Air Albania”, duke mundur Skënderbeun 3-2 dhe duke thelluar diferencën me ndjekësit në 12 pikë, por Laçi dhe Kukësi kanë një ndeshje më pak.

Seferi, Limaj dhe Devid realizuan 3 golat për skuadrën e Orges Shehit, që ndoshta u vetëkënaq dhe lëshoi disi më pas në lojë. Korçarët shkurtuan me Zguron dhe në shtesë realizuan edhe golin e dytë, por janë gola që vlejnë për statistika, sepse nuk kanë mjaftuar për të marrë pikë në kryeqytet.

Partizani i ka dhënë një leksion të mirë Teutës kampione në “Elbasan Arena”, duke shënuar plot 4 herë në portën e saj. Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për të kuqtë, me golin e Skukës. Më pas dyfishoi Cara, ndërsa në pjesën e dytë shënuan edhe Sota e Zhunior. Një ndeshje shumë e dobët për Teutën, që luajti me 10 vetë për mbi gjysmë ore, pasi Daja u ndëshkua me karton të kuq.

Dinamo mbetet në krizë të thellë. Sot është mundur 2-0 edhe nga Kastrioti i vendit të fundit dhe trajneri Bledi Shkëmbi rrezikon shumë largimin nga blutë. Java e 19-të vazhdon të dielën me ndeshjet Egnatia-Kukësi dhe Laçi-Vllaznia.

Abissnet Superiore, java e 19-të
Sot
Tirana-Skënderbeu 3-2
Teuta-Partizani 0-4
Kastrioti-Dinamo 2-0
Të dielën
Egnatia-Kukësi
Laçi-Vllaznia


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë