Futboll

Video/ Tirana nis ‘festën’ e titullit në Shkodër, Partizani shpëton nga turpi në shtesë

Gazeta Si – Përmbysje e madhe e Tiranës në “Loro Boriçi”. Fitorja 1-2 ndaj Vllaznisë i lejon kryeqytetasit të nisin që tani festën e titullit, pasi janë 11 pikë para vendit të dytë, që mbahet nga Laçi (56-45). Vllaznia në anën tjetër vështirëson rrugën e saj për të shkuar në Europë nga kampionati.

“Klasikja e Shqipërisë” nisi në mënyrën më të mirë për Vllazninë, që gjeti golin me Aralicën. Më pas kroati dyfishoi, por VAR-i ia anuloi golin për një pozicion jashtë loje shumë të diskutueshëm. VAR-i u erdhi në ndihmë edhe shkodranëve, duke dhënë një penallti për një prekje topi me dorë, por Latifi goditi shtyllën nga pika e bardhë.

Pika e kthesës në këtë ndeshje ishte goli i barazimit nga Ismailgeci, pas një skeme të bardhebluve. Hoti ndërkohë goditi shtyllën dhe Tirana mori kontrollin e lojës në dorë. Kur kishin mbetur edhe 20 minuta lojë, skuadra kryeqytetase goditi sërish me Hotin, duke shënuar golin e fitores, që e afron edhe më tepër me titullin.

Të kota protestat e trajnerit Tomas Bërdariç, që mori kartonin e verdhë të radhës në këtë ndeshje. Duke parë si shkoi ndeshja, të paktën humbjen e Vllaznisë ai mund ta kishte shmangur.

Partizani i ka shpëtuar turpit në “Elbasan Arena”, ku barazoi 2-2 me Egnatian. Të kuqtë u gjendën dy herë në disavantazh dhe e mbyllën ndeshjen me 9 vetë, pas kartonëve të kuq të Albion Markut dhe Bitrit. Në shtesë Xhunior, autor i të dy golave për Partizanin, barazoi shifrat. Për Egnatian shënuan Shyti dhe Shtubina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë