Një tjetër provë e dështuar sa i takon sigurisë dhe mbarëvajtjes së një ndeshjeje në “Air Albania”. Përfaqësuesit e UEFA-s, të pranishëm në tribunë, me siguri pas Tirana-Vllaznia kanë më shumë dyshime për finalen e Ligës së Konferencës, që ky impiant duhet të presë në muajin maj. Ata kanë mbajtur shënime për veprimet e turpshme të tifozëve dhe pamundësinë e forcave të sigurisë për t’i ndaluar.
Ashtu si në ndeshjen Shqipëri-Poloni, apo edhe në derbin Partizani-Tirana, në fushën e blertë kanë përfunduar stola të thyer, ndërsa tifozët e Tiranës në pushim kanë rrëmbyer fikëset e zjarrit dhe i kanë hapur ato pranë sektorit të tifozëve të Vllaznisë, të cilët kanë reaguar egërsisht. Një njollë e shëmtuar, që inspektorët e UEFA-s nuk mund ta tolerojnë kurrësesi.
Situata është qetësuar me ndërhyrjen e policisë, por kaosi që u pa sot në “Air Albania” është një tjetër antireklamë dhe nuk do të jetë aspak çudi, nëse UEFA ndërron mendje për finalen e Ligës së Konferencës. Dhe të mendosh që numri i tifozëve sot nuk ishte edhe aq i lartë.
Sa i takon ndeshjes, ajo u mbyll na barazim 0-0, një rezultat që kënaq Tiranën kryesuese. Duhet theksuar se Vllaznia dominoi në lojë dhe pati disa raste për të shënuar, që nuk mundi të shfrytëzonte. Tirana, së cilës iu anulua një gol i Xhixhës për pozicion jashtë loje, pak bëri në këtë ndeshje. Pas këtij barazimi, Tirana ngjitet në kuotën e 34 pikëve, kurse Vllaznia në atë të 26 pikëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




