Gazeta Si - Një 45-vjeçar, i identifikuar si Lorenc Kosta, është plagosur me armë zjarri në këmbë nga punonjësi i policisë, Erion Goxharra për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si ‘Komuna e Parisit” në Tiranë rreth orës 14:00 këtë të hënë, ku shkak dyshohet se 45-vjeçari i ka ngacmuar partneren policit. Ky i fundit ka qenë jashtë shërbimit dhe është shpallur në kërkim nga policia.
"Më datë 19.08.2024, rreth orës 14:07, në afërsi të një marketi te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi E. G., (punonjës Policie) ka plagosur me armë zjarri shtetasin L. K., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes", - njofton policia.
Ndërkohë, i plagosuri është transportuar në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje jo serioze për jetën, pasi ka marrë një plumb në këmbë, por që i ka shkaktuar shumë hemorraji. Mësohet se Goxharaj pas ngjarjes është larguar me një automjet tip "Chevrolet" ngjyrë të kuqe.
Siç duket edhe në pamjet e siguruara nga Gazetasi.al këto janë momentet e para pak minuta pas ngjarjes, teksa i plagosuri shihet ende i shtrirë përtokë, ku i jepet ndihma e parë nga qytetarë të ndryshëm.
Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj, në një deklaratë për mediat ka folur rreth plagosjes së 45-vjeçarit Lorenc Kosta nga efektivi i policisë Erjon Goxhara.
Vocaj tha se ka kontaktuar me autorin e dyshuar Erjon Goxhara, duke i bërë thirrje që të dorëzohet. Sipas tij, efektivi i policisë është në gjendje të rëndë psikologjike. Vocaj tha se fakti që e ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit, do të thotë se nuk ka dashur që ta vrasë.
"Siç jeni në dijeni rreth orës 14:00, E.G., punonjës i policisë në strukturat për Migracionin më Tiranë, ka plagosur një 45-vjeçar. Policia po kryen veprimet e domosdoshme hetimore. Po punojmë për ta lokalizuar. Mundësia më e madhe është të ketë qëlluar me armën e shërbimit. Motivet janë motive të dobëta. Jemi duke zhvilluar hetim, mund të themi se autori e ka qëlluar në pjesën e poshtme, gjë që nuk tregon se ka dashur ta vrasë. Jemi duke kryer hetimet. Nuk e dimë nga është i plagosuri. Besoj në orët e pasdites do të kemi një komunikatë të plotë. Punonjësi i policisë ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar me efektivin, është në gjendje të rënduar psikologjike, po e kontaktojmë që mos të kryejë ndonjë veprim tjetër ndaj vetes. Jemi duke shpenzuar energjitë ta kapim. I bëjmë thirrje dhe nëpërmjet medias që të dorëzohet. Siç duket i plagosur nuk është në rrezik për jetën", - tha Vocaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.