Kombetarja

Video/ Të gjithë të gatshëm për Rejën, Ivan Balliu sqaron pozicionin e tij

Për kuqezinjtë ishte sot dita e tretë e përgatitjeve për ndeshjen e së enjtes me Poloninë. Ata janë grumbulluar që të dielën në Varshavë, por grupi i futbollistëve është kompletuar të hënën.

Trajneri Reja dhe stafi i tij kanë zhvilluar sot seancën e radhës, ku të gjithë ishin të gatshëm. Çdo gjë ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur probleme fizike për asnjë lojtar. Për kuqezinjtë ka mbetur edhe një seancë e fundit para ndeshjes, ajo që do të zhvillohet të mërkurën, kur trajneri Reja do të japë edhe udhëzimet e fundit tekniko-taktike, si dhe do të vendosë pë rata që do të zbresin në fushë nga minuta e parë ndaj Polonisë.

Ivan Balliu, një nga lojtarët që trajneri Reja e kishte në listë dhe priste një përgjigje përfundimtare, ka hedhur poshtë zërat për qejfmbetje dhe ka bërë të ditur me anë të rrjeteve sociale se e ka të pamundur fizikisht të bashkohet me Kombëtaren. Ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës për këto tri ndeshje, ashtu si dhe Taulant Xhaka, që nuk e ka pranuar ftesën e Rejës për arsye shëndetësore.

Postimi i Balliut. Gazeta Si, 31 gusht 2021

“Të nderuar fansa dhe miq shqiptarë, siç e keni dëgjuar, këtë herë nuk jam pjesë e ekipit kombëtar. Sidoqoftë, kjo nuk ka të bëjë me faktin se unë nuk dua, por trupit tim i duhet kohë që të rigjenerohet në mënyrë që të parandalojë më keq. Jam gjithmonë krenar të vesh fanellën kuqezi dhe ta përfaqësoj tokën e rrënjët e mia me gjithë shpirt. Përjetësisht me ty Shqipëri! Me respekt Ivan Balliu!”, – ka shkruar Balliu në profilin e tij në Tuiter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë