Ka përfunduar në barazim 1-1 derbi i 229-të i Madoninës mes Milanit dhe Interit. Të dy golat kanë shenjën e Interit, i pari me penallti nga Çalhanoglu dhe i dyti një autogol i De Vrij. Tatarushanu priti një penallti, kurse Saelemaekers goditi shtyllën në minutën e fundit të ndeshjes. Me këtë rezultat, Milani ruan kreun me 32 pikë, kurse Interi ka 25.
Ndeshja ka nisur në një atmosferë elktrizuese, me të gjitha biletat të shitura dhe 57 mijë tifozë në shkallët e stadiumit. Koreografi speciale nga dy tifozëritë dhe shumë emocione, sidomos në pjesën e parë.
Hakan Çalhanoglu, ish-lojtar i Milanit sezonin e kaluar, shënoi në minutën e 11-të me penallti dhe nuk u frenua aspak të festonte. Turku e fitoi penalltinë vetë, pas një kontakti me Kesi në zonë dhe konfirmimit të VAR-it. Avantazhi i Interit zgjati pak, sepse një top i krosuar në zonë nga Tonali u devijua nga De Vrij për në rrjetën e Handanoviç dhe 1-1.
Interi fitoi një tjetër penallti me Darmian, pas ndërhyrjes së gabuar të Balo Toure, por këtë herë te pika e bardhë u paraqit Lautaro Martinez, gjuajtja e të cilit u prit nga Tatarushanu. Edin Xheko pati një mundësi shumë të mirë për të shënuar në fundin e pjesës së parë, por gaboi.
Në pjesën e dytë rastet e rrezikshme ishin më të pakta. Trajneri Stefano Pioli lëvizi i pari nga stoli, duke hedhur në fushë Kalulu, Rebiç dhe Saelemaekers fillimisht dhe më pas Benaser dhe Bakajoko. Në krahun tjetër, Inzagi aktivizoi Vidalin, Korrean, Dumfries, Aleksis Sançez dhe DiMarkon, por asgjë nuk ndryshoi. Në fund Interi pati shumë fat, pasi beglu Saelemaekers goditi shtyllën. Gjithçka u mbyll 1-1, rezultat që sigurisht favorizon Milanin.
Milan-Inter 1-1
Milan (4-2-3-1): Tatarushanu, Kalabria, Kjaer, Tomori, Balo-Toure (Kalulu), Kesi, Tonali (Benaser), Diaz (Saelemaekers), Kruniç (Bakajoko), Leao (Rebiç), Ibrahimoviç. Trajner: Pioli
Inter (3-5-2): Handanoviç, Skriniar, De Vrij, Bastoni (Dimarko), Darmian (Dumfries), Barela (Vidal), Brozoviç, Çalhanoglu, Perisiç, Xheko (Korrea), Martinez (Sançez). Trajner: Inzagi
Arbitër: Doveri
Shënues: Çalhanglu 11′ (penallti), De Vrij 17′ (autogol)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




