Lojëra me Dore

Video/ Stef Kërri ‘mbret’ i trepikshave, thyen rekordin historik në NBA

Më në fund ndodhi në “Madison Square Garden”, arenën e njohur si “Meka” e basketbollit amerikan, që ka një vend special në zemrën e Stef Kërrit. Fenomeni i Uarriors ka vendosur rekordin e trepikshave të realizuar në karrierë në parketin e Nju Jorkut, para atyre që e mbanin këtë rekord, Rei Alen dhe Rexhi Miler.

Një moment i jashtëzakonshëm në një ndeshje që Golden Stejt e fitoi 105-96. Kërri realizoi trepikëshin numër 2974, që e fut atë në histori. Ishte një realizim shumë i vështirë, një markë fabrike i lojtarit të Golden Stejt dhe që shpërtheu arenën, që paradoksalisht mund të priste të gjithë ndeshjet shtëpiake të Stef Kërrit. Në 2009-ën Nju Jorku ishte gati të zgjidhte pikërisht Kërrin, por Uarriorsat nuk e lëshuan dhe pastaj pjesa tjetër është histori.

“Nuk kam dashur kurrë të përkufizohem si gjuajtësi më i mirë në histori, – tha pas ndeshjes Kërri, që e mbylli atë me 22 pikë. – Të paktën deri kur të vendosja rekordin. Tani e kam bërë dhe ndihem mirë me atë etiketim”.

Trepikëshi që i ka dhënë rekordin liderit të Uarriors është përshëndetur me një “standing ovation” drithërues nga tifozët. Ndeshja u ndal dhe Kërri shkoi të përqafonte së pari babë Dell dhe pastaj Rei Alen, e gjitha kjo ndërsa publiku vazhdonte të duartrokiste. “Mendoj për këtë rekord prej kohësh, është diçka special. E arrita para Alen e Miler dhe është shumë bukur, jam rritur duke i parë të luajnë dhe i kam pasur shembuj, bashkë me babanë tim, si gjuajtës”, – shtoi Kërri.

Rekordi i tij vështirë se mund të thyhet në vazhdim. Ai e ka arritur këtë rekord me 511 ndeshje më pak se Rei Alen. Shifra që tregojnë madhështinë e gjuajtësit më të mirë të të gjitha kohërave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë