Futboll

VIDEO / Spektakël pa gola, Vllaznia e Kukësi ndajnë nga një pikë

Vllaznia nuk përfiton nga ndalesa e ndjekësve për të rritur distancën në krye, pasi nuk shkoi dot përtej një barazimi pa gola ndaj Kukësit, në një sfidë ku pati mundësi të panumërta shënimi, por shpërdoroi në mënyrë flagrante. Pas një nisjeje të qetë të lojës, Shkodranët japin shkëndijën e parë, teksa zbresin shpejt me shumë pasime dhe Da Silva shërbeu për Njia Vedji, i cili i vetëm me Xhikën gjuajti menjëherë, por topi u përplas në trupin e portierit të verilindorëve.

Edhe Kukësi kishte një mundësi shumë të mirë shënimi, me kapitenin Agim ibraimi. Ky i fundit, i vetëm me Zogovic, nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës në një nga rastet më të mira. Fraksioni i parë i lojës u mbyll me rrjeta të paprekura.

Minutat e para të pjesës së dytë nuk dhuruan ndonjë rast, ndërkohë që trajneri Brdaric hodhi në fushë lojtarë si Imeri, Dilaver dhe Cisse dhe ky i fundit fitoi një penallti në minutën e 70-të, pas një dueli me Bruno Lulajn. Nga pika e 11-metërshit shkoi fantazisti Demir Imeri, por Xhika bëri sërish heroin dhe grushtoi sferën, duke mbajtur portën të paprekur.

Vërshëllima finale e arbitrit Kridens Meta la në fuqi barazimin 0-0 dhe dy skuadrat detyrohen të kënaqen me nga një pikë. Vllaznia çon në 4 numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore, megjithatë mbetet në krye të renditjes me 42 pikë, një më tepër se Teuta e Laçi që e ndjekin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë