Ka përfunduar në barazim 2-2 supersfida mes Çelsit dhe Liverpulit, një rezultat që kënaq vetëm Mançester Sitin e Guardiolës, 10 pikë para bluve pas javës së 21-të të Premier Ligës.
Pavarësisht mungesave të shumta, ishte një ndeshje spektakolare, që Liverpuli mund ta kishte fituar. Mane dhe Salah realizuan dy gola kur kishin kaluar vetëm 26 minuta lojë, por Çelsi gjeti forca dhe barazoi brenda pjesës së parë me Kovaçiç dhe Pulisiç.
Gjatë pjesës së dytë u ndje lodhja, por duhet theksuar se Liverpuli sërish kishte raste për të shënuar golin e fitores. Mane u ndal nga portieri Mendi, që i dha një pikë Çelsit me pritjet vendimtare.
Trajneri Tuhel la jashtë skuadre sulmuesi Lukaku, ndërkohë që mungonin për Çelsin edhe Verner, Çiluell dhe Kristensen. Në anën tjetër, Liverpuli vinte në këtë ndeshje pa trajnerin Jurgen Klop, i cili është infektuar nga Covid-i, si dhe me shumë mungesa lojtarësh, ku veçohen Alison, Firmino, Matip dhe Robertson.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




