Franca e ka nisur me një fitore “të rëndë” aventurën në Euro 2020. Në Grupin F, skuadra e Deshamp ka mundur Gjermaninë, duke iu përgjigjur suksesit të Portugalisë, me të cilën udhëheq renditjen. Në Mynih është luajtur një ndeshje e ekuilibruar, e vendosur nga një autogol. Në pjesën e dytë Franca e përballoi reagimin e Gjermanisë, ndërkohë që iu anuluan 2 gola për pozicion jashtë loje. Për gjermanët situata komplikohet që pas ndeshjes së parë.
Kur kishin kaluar 20 minuta lojë, Mat Humels, në përpjekje për të larguar një top të krosuar nga e majta e sulmit francez, e dërgoi atë në rrjetën e Nojerit, duke i dhënë avantazhin kundërshtarit. Gjermanët më pas kanë parë më shumë drejt portës së Loris dhe Gundogan kishte një shans për të barazuar, por gjuajti jashtë kuadratit.
Loja ka vazhduar e barabartë në pjesën e dytë, me raste në të dyja portat. Rabiot goditi shtyllën, Gnabri humbi një rast të mirë, ndërsa Mbape shënoi një gol, që u anulua për pozicion jashtë loje. E njëjta gjë ndodhi edhe me Benzema 5 minuta para fundit, kur sulmuesi shënoi, por këtë herë ishte VAR-i që e anuloi golin për pozicion të parregullt. Francezët pretenduan edhe për një penallti, kur Mbape u rrëzua në zonë pas një kontakti me Humels, por arbitri vazhdoi lojën.
Në çerek oren e fundit të ndeshjes trajneri Joakim Lëv hodhi në fushë edhe sulmuesit Verner dhe Sane, pastaj edhe Çan e Voland, kurse kolegu i tij, Didier Deshamp, ndërrimin e parë e bëri 1 minuta para fundit, kur Toliso zuri vendin e Benzema. Edhe 6 minutat shtesë nuk sollën ndryshim rezultati dhe festa në fund ishte për francezët, të cilët duhet të falënderojnë Humelsin.
Francë-Gjermani 1-0
Franca (4-3-3): Loris, Pavard, Varane, Kimpembe, Hernandez, Rabiot (Dembele), Kante, Pogba, Griezman, Benzema (Toliso), Mbape. Trajner: Deschamp
Gjermania (3-4-3): Nojer, Ginter (Çan), Humels, Rudiger, Kimish, Gundogan, Kros, Gosens (Voland), Havertz (Sane), Myler, Gnabri (Verner). Trajner: Lëv
Arbitër: Del Çerro (Spanjë)
Shënues; Humels 20’ (autogol)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.