Gazeta Si – Një “shtëpi bari” është zbuluar në Marikaj pranë Vorës, ku është shpallur në kërkim autori dhe është proceduar penalisht bashkëshortja e tij për moskallëzim krimi.
Po ashtu, në pranga ka rënë edhe një punonjës i OSHEE, për shpërdorim detyre.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Marikaj 2”, policia tha se 46-vjeçari me iniciale K.K., është autor i dyshuar i kultivimit të 1.035 bimëve narkotike në vazo dhe 907 fidanë narkotikë të kultivuar në kubikë.
Gjithashtu ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për 44-vjeçaren me iniciale A.K., e cila ishte në dijeni të këtij aktiviteti kriminal dhe nuk ka kallëzuar krimin.
Në lidhje me kultivimin e lëndëve narkotike u arrestua në flagrancë 53-vjeçari Lulzim Sheteli me detyrë faturist i OSHEE-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjatë kontrollit të një magazine, në përdorim nga 46-vjeçari, policia ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të pajisjeve të ndryshme elektrike që furnizoheshim me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
“Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 1035 bimë narkotike kanabis të kultivuara në vazo dhe 907 fidanë narkotikë kanabis të kultivuar në kubikë, ventilatorë, platforma për shpërndarjen e rrymës elektrike dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike”, njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



