Janë ditë të bukura për kuqezinjtë. Pas fitores 0-1 të Kombëtares në Hungari, vjen një tjetër sukses i rëndësishëm, këtë herë nga Shpresat, që kanë mposhtur 2-0 në stadiumin “Elbasan Arena” një kundërshtar të forte, si Sllovenia. Me këtë fitore, skuadra e Bushit është ngjitur në kuotën e 9 pikëve në eliminatoret e Europianit.
Pjesa e parë ishte më e mirë për Slloveninë, që rrezikoi disa herë, kurse kuqezinjtë e vegjël dhanë vetëm një sinjal me anë të Dobrës. Në pjesën e dytë Shqipëria mori kontrollin e lojës dhe realizoi dy golat e fitores brenda 5 minutash.
Rezultati u zhbllokua nga sulmuesi Karrica, pas një pasimi të saktë të Mitajt. Më pas, Dobra dyfishoi me një gjuajtje të saktë me kokë brenda zonës. Sllovenia shtoi presionin, por pa mundur të gjente golin. Në një rast u ndal nga shtylla, kurse në shtesë humbi një penallti që u prit nga portieri Tafas.
Një fitore me shumë vlera, që mund të jetë edhe një ogur i mirë për kuqezinjtë para ndeshjes me Poloninë. Fitorja e Shpresave është përshëndetur edhe nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në Grupin G, Shqipëria U-21 mban vendin e dytë, me pikë të barabarta me Çekinë kryesuese, por kjo e fundit ka një ndeshje më pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




