Euro 2020

Video/ Shpërthen festa në “Wembley”, finalja është Angli-Itali

Anglisë i është dashur një autogol i danezëve dhe një penallti në shtesë e kthyer në gol nga Kejn për të shkuar në finalen e “Wembley”-t. Ka vuajtur skuadra e Southgejt për ta mbyllur kualifikimin në kohën e rregullt, sepse Danimarka bëri një ndeshje të mirë, kaloi e para në avantazh, por nuk mundi ta përballojë presionin anglez dhe e ka mbyllur në gjysmëfinale rrugëtimin e saj.

Pas 30 minutash me një lojë të barabartë, Danimarka bën goditjen në “Wembley”, duke kaluar në avantazh me një eurogol. Damsgard ekzekuton në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi në pozicion ballor dhe mposht portierin Pikford. Reagon menjëherë Anglia, duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën daneze. Sterling fillimisht ndalet nga Shmajkel, pasi anglezi ia përplas topin në trup. Por goli i barazimit nuk vonon.

Pas një pasimi të bukur të kapitenit Kejn për Saka në të djathtë të zonës, lojtari i Arsenalit e kthen në qendër dhe Kjaer e dërgon në rrjetën e tij, përpara se këtë gjë ta bëjë Sterling, që është pas tij. Pjesa e parë mbyllet në barazim dhe në të dytën të dyja skuadrat zbresin në fushë me të njëjtët lojtarë. Anglia ka iniciativën dhe krijon raste, sidomos me goditjet standarde. Në një prej tyre, një devijim i Meguajër me kokë, detyron Shmajkelin të fluturojë për të shmangur golin.

Danimarka nis me ndërrimet, duke bërë përnjëherësh tre. Në fushë futen Norgard, Jusuf Poulsen dhe Vas. Në anën tjetër, trajneri Southgejt aktivizon Grealish për Saka dhe ky është ndërrimi i vetëm në 90 minutat e kohës së rregullt. Anglezët kërkojnjë një penallti, pas rrëzimit të Kejn në zonë, por VAR-i thotë se nuk ka asgjë të parregullt. Anglia ngulmon, por danezët mbrohen mirë dhe 90 minutat mbyllen po në barazim, 1-1.

Në shtesën e parë, Shmajkel bëhet sërish shpëtimtar, duke ndaluar kapitenin Herri Kejn nga një pozicion diagonal. Rajs dhe Maunt i lënë vendin Henderson dhe Foden tek anglezët. Në minutën e 103-të Anglia fiton me Sterling një penallti të kontestuar nga danezët dhe të konfirmuar nga VAR-i. Kejn e çon topin në rrjetë në tentativën e dytë, sepse të parën e ndal Shmajkel.

Në minutat e mbetura Anglia thjesht administron lojën, krijon vetëm një rast ideal me Sterling dhe në fund i gëzohet kalimit në finalen e “Wembley”-t, ku më 11 korrik do të ndeshet me Italinë për trofeun e kampionit.

Angli-Danimarkë 2-1
Anglia (4-2-3-1): Pikford, Uollker, Stons, Meguajër, Shou, Rajs (Henderson), Filips, Saka (Grealish, Tripier), Mount (Foden), Sterling, Kejn. Trajner: Southgejt
Danimarka (3-4-3): Shmajkel, Kristensen (Andersen), Kjaer, Verstergard, Stryger Larsen (Vas), Hojbjerg, Delanei (Jensen), Maehle, Braithuejt, Dolberg (Norgard), Damsgard (Poulsen). Trajner: Hjulmand
Arbitër: Makeli (Holandë)
Shënues: Damsgard 30’, Kjaer 39’ (autogol), Kejn 104’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë