Lojëra me Dore

Video/ Shkon në finale, por Medvedev shpërthen ndaj arbitrit: Je budalla, një kotele!

Kurrë miq. Mes Danil Medvedev dhe Stefanos Tsitsipas, të cilët nuk duan ta shohin njëri-tjetrin jashtë fushe, u luajt një gjysmëfinale e ndezur dhe nervoze, që u fitua nga rusi 7-6, 4-6, 6-4, 6-1. Medvedev tashmë ka shansin të bëhet numri 1 në botë, nëse fiton finalen ndaj Rafael Nadal.

Danil Medvedev ishte protagonist i një episodi të veçantë “spektakli” kundër arbitrit në gjysmfinale. Në fundin e setit të dytë, ai iu drejtua arbitrit të karriges për të protestuar për komunikimet e vazhdueshme mes tenistit grek dhe babait të tij trajner.

Në momentin e ndërrimit të fushës, rusi i bërtiti arbitrit Jaume Campistol, duke pretenduar se nuk po e ndëshkonte Tsitsipasin për konsultim me trajnerin: “Babai i tij flet për çdo pikë! Je budalla? Tsitsipas flet me të atin për çdo pikë, por ti nuk ke marrë asnjë masë. Je i dobët, si ka mundësi të ndodhë kjo në një gjysmëfinale Slam? Më shiko kur të flas!”.

Pastaj, duke lënë fushën, Medvedev e rriti dozën: “Nëse ndodh përsëri dhe nuk merr masa, je një… si thuhet… një kotele”. Për të ruajtur Apostolos Tsitsipasin u ngarkua Eva Asderaki, arbitrja greke në boksin e Tsitsipas, gati për të sinjalizuar sugjerimet nga ana e babait-trajner. Sugjerimet nuk munguan, ashtu si dhe ndëshkimi.

Mes dy tenistëve nuk ka pasur kurrë marrëdhëie të mira. Është legjendare një zënkë e tyre në “Masters 1000” të Majemit. Pak ditë më parë Tsitsipas kishte thënë: “Raporti ynë nuk është keq, nuk flasim prej dy muajsh, por të paktën situata nuk është përkeqësuar.”

Pas ndeshjes, greku u shpreh: “Ai është i lezetshëm, nuk i kushtoj shumë vëmendje. Ka lojtarë, të cilëve u pëlqen të bëjnë këto gjëra për destabilizim mendor. Mund të jetë një taktikë. Sidoqoftë, ai nuk është një person shumë i matur”. Medvedev pas ndeshjes i kërkoi ndjesë arbitrit për shpërthimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë