Argjentina është matematikisht e kualifikuar për në Botërorin e 2022-shit. Sfida me Brazilin, e luajtur në San Juan, përfundoi në barazim 0-0 dhe argjentinasve u mjaftoi një pikë për biletën drejt Katarit, pas hapave të gabuar të rivalëve direkt. Uruguaji u mund 3-0 në Bolivi, Kili humbi në shtëpi 0-2 ndaj Ekuadorit, kurse Kolumbia nuk shkoi më shumë se 0-0 ndaj Paraguajit.
Mision i përmbushur për Argjentinën, me ndonjë ndihmë nga jashtë. Gjithsesi, 4 ndeshje para fundit të eliminatoreve, skuadra e Skalonit ka festuar kualifikimin për në finalet e Botërorit. Në kryendeshjen me Brazilin e kualifikuar nuk pati gola, por më shumë shkelma dhe nerva.
Ishte një ndeshje shumë e luftuar, siç ndodh zakonisht mes dy rivalëve të përjetshëm, me pak raste për gol. Në pjesën e parë të vetmin rast e kishte De Paul, i cili provoi me një gjuajtje në hyrje të zonës, por u ndal nga Alison. Në pjesën e dytë ishte Emiliano Martinez që iu përgjigj mirë Kunjës, i cili zëvendësoi Nejmarin në këtë ndeshje.
Rezultati nuk ndryshoi dhe me këtë barazim Argjentina u ngjit në kuotën e 29 pikëve, 12 më shumë se Kolumbia dhe Peruja. Fituesit e Kupës së Amerikës sigurojnë kështu pjesëmarrjen në Botëror, i pesti në karrierë për Lionel Mesin, që qëndroi në fushë gjithë ndeshjen dhe rrezikoi vetëm dy herë. Tite dhe Skaloni mbeten të pathyeshëm, në pritje të verdiktit të ndeshjes së parë, që u ndërpre pak minuta pasi filloi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




