Nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 Kroacia, që komplikon kështu ndjeshëm shanset e kualifikimit. Në xhiron e dytë të ndeshjeve të Grupit D të Euro 2020, skuadra e Zllatko Daliç nuk mundi ta kalonte Çekinë, që është e kënaqur edhe me barazimin, duke pasur 4 pikë në renditje.
Ndeshja në Gllasgou ishte e nivelit poshtë mesatares, ndërsa rezultati fut në telashe Kroacinë, që ka vetëm 1 pikë, pasi në debutim humbi me Anglinë. Avantazhi i Çekisë erdhi nga pika e bardhë e penalltisë. Shik u godit me bërryl në zonën e rreptësisë nga Lovren dhe pas pamjeve të para me VAR, erdhi sinjalizimi për penallti dhe karton të verdhë për mbrojtësin kroat.
Lovren i theu hundën sulmuesit kryesor të Çekisë, që gjithsesi gjuajti saktë nga pika e bardhë, duke u ngjitur në kuotën e 3 golave, pas dopietës ndaj Skocisë. Kroacia barazoi sapo nisi pjesa e dytë me Ivan Perisiç. Lojtari i Interit goditi fort me të djathtën nga një pozicion diagonal në zonë, më pas kroatët morën zemër, por pa mundur të gjenin golin e fitortes edhe pas lëvizjeve të trajnerit Daliç nga stoli.
Kroaci-Çeki 1-1
Kroazia (4-2-3-1): Livakoviç, Vrsaljko, Lovren, Vida, Gvardiol, Modriç, Kovaçiç, Perisiç, Kramariç (Vlasiç), Brekalo (Ivanusec), Rebiç (Petkoviç). Trajner: Daliç.
Çekia: (4-2-3-1) Vaçlik, Coufal, Kalas, Celustka, Boril, Holes (Kral), Souçek, Masopust (Hlozek), Darida, Jankto (Sevçik), Shik (Krmençik). Trajner: Silhavi.
Arbitër: del Cerro Grande (Spanjë)
Shënues: Shik 37′ (p), Perisiç 47’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.