“Ruleta” e penalltive këtë herë tha “Jo” për Zvicrën, që arriti ta përballonte Spanjën për 120 minuta, në më shumë se 40 prej tyre me një lojtar më pak. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, me autogolin e Zakarias dhe golin e Shaqirit, shtesat nuk ndryshuan gjë dhe pastaj penalltitë certifikuan Spanjën si skuadrën e parë gjysmëfinaliste. Unai Simon "heroi" i spanjollëve me dy penallti të pritura.
Ndeshja nisi ashtu siç spanjollët do ta donin, me avantazhin e tyre të shpejtë. Zakaria devijoi një gjuajtje të Zhordi Albës dhe topi përfundoi në rrjetën e Somer në minutën e 8-të. Gjithçka u bë edhe më e vështirë për zviceranët, të cilët, përveç Granit Xhakës të skualifikuar, humbën edhe sulmuesin Embolo për shkak dëmtimi vetëm pas 23 minutash lojë. Në vend të tij futet Vargas.
Në pjesën e dytë, trajneri Luis Enrike hedh në fushë Olmon për Sraabian dhe më pas Zherard Morenon në vend të Moratës. Zvicra tenton dhe e ndihmuar nga një përplasje e topit mes mbrojtësve spanjollë, arrin të barazojë me kapitenin Xherdan Shaqiri, pas pasimit të Freuler. Goli i tretë për lojtarin shqiptar të Liverpulit në këtë Europian.
Situata komplikohet sërish 13 minuta para fundit për skuadrën e Vladimir Petkoviç, pasi arbitri anglez Oliver ndëshkon direkt me karton të kuq Remo Freuler për një ndërhyrje, që e ai e konsideroi të rrezikshme. Një vendim i diskutueshëm. Petkoviç ndërhyn nga stoli, duke hedhur në fushë Sise në vend të Shaqirit dhe Gavranoviç në vend të Seferoviç, me qëllimin për t’i dhënë energji skuadrës në inferioritet numerik. Spanja nuk përfiton dhe ndeshja shkon në shtesë.
Spanja dominon 30 minutat e shtesës. Somer bën disa pritje vendimtare në shtesën e parë ndaj Zherard Morenos, Ojarzabal dhe Olmos. Petkoviç bën edhe dy ndërrimet e fundit, në fushë edhe Shar dhe Mbabu për zviceranët, kurse Enrike aktivizon Tiago Alkantarën në vend të Pau Lopez e në fund edhe Rodrin. Spanjollët gabojnë në gjuajtje, ndërsa topat në kuadrat i kap të gjithë Somer dhe kualifikimin e vendosin penalltitë.
Nga pika e bardhë, zviceranët gabuan 3 penallti me Shar, Akanzhi dhe Vargas, kurse të pestën nuk e gjuajtën fare, sepse Ojarzabal realizoi për spanjollët golin e kualifikimit. Busket goditi shtyllën dhe Somer priti penalltinë e Rodrit, por ketë herë fati nuk ishte me Zvicrën. Spanja është gjysmëfinalistja e parë e Euro 2020.
Zvicër-Spanjë 2-4 (1-1)
Zvicra (3-4-1-2): Somer, Elvedi, Akanzhi, R.Rodriguez, Vidmer (Mbabu), Zakaria (Shar), Freuler, Zuber (Fasnasht), Shaqiri (Sou), Seferoviç (Gavranoviç), Embolo (Vargas). Trajner: Petkoviç
Spanja (4-3-3): Unai Simon, Azpilikueta, Pau Torres (Tiago Alkantara), Laporte, Zhordi Alba, Koke (M.Lorente), Buskets, Pedri (Rodri), Ferran Torres (Ojarzabal), Morata (Zherard Moreno), Sarabia (Olmo). Trajner: Luis Enrike
Arbitër: Mikael Oliver (Angli)
Shënues: Zakaria 8 (autogol), Shaqiri 68’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.