Futboll

Video seksuale me një minorene, ndalohen 4 lojtarë të rinj të Real Madrid

Gazeta Si – Ngjarja është denoncuar nga nëna e 16-vjeçares. Policia spanjolle ka sekuestruar celularin e njërit prej të rinjve të klubit të madh madrilen.

Mëngjesin e sotëm në Valdebebas mbërriti ‘Guardia Civil’ dhe agjentët shoqëruan 4 lojtarë të akademisë së Real Madrid. Lajmi është zbuluar nga ‘El Confidencial’ dhe më pas është konfirmuar edhe nga media të tjera spanjolle. Pastaj edhe nga vetë Real Madrid me një komunikatë prej 3 rreshtash, ku informante se:

“Jemi në dijeni se një lojtar i Castilla (Real Madrid B) dhe 3 lojtarë të Real Madrid C janë thirrur për të dhënë shpjegime nga ‘Guardia Civil’ në lidhje me një denoncim për shpërndarjen e supozuar të një videoje private nëpërmjet WhatsApp. Sapo klubi të ketë informacion të detajuar të fakteve, do të marrë masat e nevojshme”.

Ndalimi i 4 lojtarëve është bërë pas denoncimit më 6 shtator në Santa Maria de Guia, në Gran Canaria, nga nëna e një vajze 16-vjeçare për shparndarjen e një videoje seksuale me protagoniste të bijën. Sipas versionit të saj në ‘Guardia Civil’, vajza është filmuar nga një djalë që luan në akademinë e Real Madrid. Më pas ai ka vendosur t’ua tregojë videon edhe shokëve dhe këta të fundit të tjerëve.

Për këtë arsye, ‘Guardia Civil’ shkoi në Ciudad Deportiva të Madridit për të kërkuar autorin e videos dhe shokët që e kanë shpërndarë. Forcat e rendit kanë sekuestruar telefonin e lojtarit dhe tani priten informacione të tjera për lojtarët e përfshirë në këtë ngjarje.

Akuza që do të përballen të rinjtë e Realit, emrat e të cilëve nuk janë zbuluar, është ajo e zbulimit të sekretit. I akuzuari kryesor është një nga lojtarët e Real Madrid C, ai që ka pasur lidhjen me vajzën në Mogan, në ishullin Gran Canaria. Videoja në fjalë është përhapur shumë dhe numri i të rinjve të implikuar mund të jetë më i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë