Futboll

Video/ ‘San Siro’ në delir, Milani thyen Atalantën dhe prek titullin

Gazeta Si – Milani mund Atalantën 2-0 dhe prek titullin kampion. Leao dhe Teo Hernandez çmendin një ‘San Siro’ të tejmbushur. Pas një pjese të parë të komplikuar, portugezi dhe francezin likuidojnë skuadrën e Gjimshitit.

Leao feston golin me Florencin. Gazeta Si, 15 maj 2022

Milani kalon me sukses një provë shumë të rëndësishme për titullin kampion. Në javën e 37-të të Serisë A, skuadra e Piolit ka mundur pastër Atalantën. ‘San Siro’ ishte plot, si kurrë më parë. Nëse Interi fiton në Kaljari, kuqezinjve u duhet vetëm 1 pikë ndaj Sasuolos javën e fundit.

Pjesa e parë ishte e vështirë për Milanin. Për të zhbllokuar rezultatin mendoi i zakonshmi Leao, i cili e kaloi topin në mes të këmbëve të portierit Muso. Goli i tij largoi presionin në radhët e kuqezinjve.

Në minutën e 75-të erdhi edhe kryevepra e Teo Hernandez. Francezi çmendi popullin kuqezi në ‘San Siro’ dhe jo vetëm, duke shënuar një go të rrallë. Ai mori topin nga gjysmëfusha kuqezi, kaloi gjithë kundërshtarët që i dolën përpara dhe dyfishoi shifrat më një të majtë potente.

Tani Milani bën tifo për Kaljarin. Nëse kjo skuadër arrin të ndalë Interin, atëherë kuqezinjtë shpallen matematikisht kampionë të Italisë. Milani ka 83 pikë aktualisht, kurse Interi 78 dhe ndeshjen me Kaljarin për të luajtur.

Berat Gjimshiti, mbrojtësi i Kombëtares, luajti 90 minuta ndaj Milanit. Ai ishte ndër më të mirët për Atalantën dhe nga shtypi sportiv italian u vlerësua më notën 6.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë