Kristiano Ronaldo ka shpëtuar sërish Mançester Junajtid ndaj Atalantës. Portugezi ka barazuar shifrat në 2-2 në kohën shtesë, duke prishur festën e Berat Gjimshitit, mbrojtësit të Kombëtares që luajti në 45 minutat e dyta, duke u kthyer nga dëmtimi.
Iliçiç e kaloi Atalantën në avantazh, por Ronaldo barazoi në shtesën e pjesës së parë. Në të dytën bergamaskët kaluan përsëri përpara me një gol të Zapatës, të komfirmuar edhe nga VAR-i. Kur u duk se gjithçka do të mbyllej me fitoren e Atalantës, Ronaldo barazoi dhe mbajti Mançesterin në vend të parë, me 7 pikë, aq sa ka edhe Vilarreali. Atalanta ka 5 pikë dhe është ende në lojë për kualifikimin.
Juventusi ka larguar makthet e kampionatit dhe është kthyer te fitorja, e katërta në katër ndeshjet e grupit në Champions, duke u kualifikuar për më tej. Bardhezinjtë mundën 4-2 Zenitin dhe ruajtën kreun e grupit të tyre. Paulo Dibala shënoi 2 gola në këtë ndeshje dhe kaloi Mishel Platininë, ndaj dhe festa e tij ishte pikërisht me imitimin e legjendës franceze të Juventusit.
Kieza dhe Morata realizuan 2 golat e tjerë të skuadrës së Alegrit, Bonuçi shkaktoi autogol, duke sigluar barazimin e përkohshëm në pjesën e parë, ndërsa Azmun shkurtoi shifrat në 4-2 në fund. Në ndeshjen tjetër të Grupit H, Çelsi fitoi 0-1 në fushën e Malmoes, falë një golit të Ziesh në pjesën e dytë.
Bajerni dhe Levandovski kanë bërë detyrën ndaj Benfikës, duke depozituar në rrjetën e saj “thesin” e zakonshëm të golave (5). Sulmuesi polak, protagonist me një dopietë, humbi edhe një penallti në pjesën e parë. Gnabri dhe Sane janë autorët e golave të tjerë për bavarezët, të cilët udhëheqin grupin me pikë të plota pas 4 ndeshjesh.
Barcelona fitoi përsëri ndaj Dinamos së Kievit, këtë herë në Ukrainë, duke mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit. Katalanasit kanë 6 pikë dhe kanë marrë vendin e dytë, duke përfituar nga humbja e Benfikës në Gjermani. Golin e fitores për Barcelonën e shënoi Ansu Fati.
Liga e Kampionëve, ndeshjet e 4-ta në grup
Sot
Malmo-Çelsi 0-1
Volfsburg-Salcburg 2-1
Atalanta-Mançester J. 2-1
Bajern Mynih-Benfika 5-2
Dinamo Kiev-Barcelona 0-1
Juventus-Zenit 4-2
Sevilje-Lilë 1-2
Vilarreal-Jang Bojs 2-0
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




