Juventusi i është imponuar Romës së Marash Kumbullës, duke fituar 2-0 dhe duke e parakaluar atë në renditje. Kampionët në fuqi mundin edhe rivalin e vetëm që u kishte rezistuar deri tani, regjistrojnë fitoren e 6-të radhazi dhe ngjiten në kuotën e 42 pikëve. Mbrojtësi kuqezi ishte titullar në këtë ndeshje, ku paraqitja e tij ishte mesatare.
Kristiano Ronaldo rigjen rrugën e rrjetës në kampionat, madje mund të ishte autori i një dopiete, por Ibanez, në përpjekje për ta ndaluar, shkaktoi autogol. Portugezi bën diferencën në fushë dhe Inter tani është +5, por Juventusi ka një ndeshje më pak. Roma ka dështuar të bëjë kthesën, duke konfirmuar “alergjinë” ndaj skuadrave të mëdha.
Pirlo ka kursyer Kuadradon nga minuta e parë dhe ka surprizuar me Aleks Sandron, ndërsa Roma vinte me Xhekon në stol dhe pa Pelegrinin, Smolling dhe Pedron. Kieza vuan në krahun e Spinacolës dhe Juventusi e ka të vështirë të gjejë ekuilibër dhe distancë në fillim. Por më pas bardhezinjtë arrijnë ta zhbllokojnë ndeshjen. Aleks Sandro shtyn përpara, pason për Moratën, që jep një asist për Ronaldon, i cili gjuan me të majtën dhe 1-0.
Roma i afrohet barazimit me Kristanten, më pas e ul ritmin. Ronaldo godet traversën dhe topi kthehet në lojë, portugezi tenton ta bindë arbitrin Orsato se e kishte kaluar vijën fatale dhe të dy shkëmbejnë batuta. Pas rreth një muaji në fushë është edhe Xheko, ndërsa Pirlo aktivizon Kuadradon dhe Kulusevskin. Dhe janë ata që gatuajnë golin e dytë. Kulusevski fut një top rrafsh me tokën në zonë dhe Ibanez e devijon para Ronaldos për ta çuar në rrjetën e tij.
Juventusi tregon se e ka marrë më seriozisht se kurrë vrapimin drejt kreut. Të martën do të përballet pikërisht me ekipin kryesues, Interin, por në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.