Atalanta ishte pranë goditjes së madhe në Angli, por ëndrra e bergamsakëve zgjati vetëm një pjesë. Mançester Junajtid përmbysi rezultatin nga 0-2 në 3-2, duke marrë kreun e Grupit F, me 6 pikë. Vërtet mëkat për Atalantën, që kryesoi 0-2, me gola të Pasaliç dhe Demiral. Anglezët shkurtuan fillimisht me Rashford, Meguajër barazoi dhe Kristiano Ronaldo me kokë imponoi ligjin e “Old Trafordit”.
Kanë fituar pa shumë probleme skuadrat e tjera të mëdha në këtë xhiro të tretë të ndeshjeve në grup. Bajerni mundi 0-4 Benfikën në transfertë, duke u shkëputur në krye të grupit me 9 pikë në 3 ndeshje. Për bavarezët shënuan Sane dy herë dhe Levandovski, ndërsa një gol e shënuan vetë portugezët në portën e tyre. Edhe Juventusi nuk ka toleruar aspak dhe vazhdon me pikë të plota, falë fitores 0-1 në fushën e Zenitit, me gol të Kulusevskit.
Barcelona më në fund ka marrë fitoren e parë në Ligën e Kampionëve, duke i hapur rrugën kualifikimit. Një gol i Pike në pjesën e parë u ka dhënë tri pikët katalanasve ndaj Dinamos së Kievit dhe tashmë ata janë vetëm 1 pikë pas vendit të dytë në grup. Kampionët në fuqi të Çelsit kanë mundur 4-0 Malmon, por kanë humbur Lukakun për dëmtim që në pjesën e parë.
Champions, ndeshjet e treta në grupe
Sot
Barcelona-Dinamo K. 1-0
Salcburg-Volfsburg 3-1
Benfika-Bajern Mynih 0-4
Çelsi-Malmo 4-0
Lilë-Sevilje 0-0
Mançester J.-Atalanta 3-2
Jang Bojs-Vilarreal 1-4
Zenit-Juventus 0-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




