Futboll

Video/ Roma e Kumbullës përjeton sërish makthe në Norvegji, barazon Barcelona

Gazeta Si – Këtë herë nuk është mundur thellë si në fazën e grupeve, por përsëri Roma e Marash Kumbullës ka përjetuar makthet e humbjes në Norvegji. Ndeshja e parë çerekfinale e Ligës së Konferencës ndaj Bodo Glimt është mbyllur me fitoren 2-1 të ekipit vendës. Ekipi norvegjez duket se është bërë vërtet një ‘mace e zezë’ për Mourinjon.

Kumbulla e nisi këtë ndeshje titullar dhe luajti 90 minuta. Roma e tij kaloi në avantazh me anë të Lorenco Pelegrinit në pjesën e parë, por në të dytën erdhi përmbysja e norvegjezëve. Saltnes barazoi shifrat fillimisht dhe 1 minutë para fundit Vetlesen i dha fitoren skuadrës së tij. Roma duhet të përmbysë gjithçka në ndeshjen e kthimit për të shkuar në gjysmëfinale.

Në ndeshjet e tjera çerekfinale të Ligës së Konferencës, Olimpiku i Marsejës mundi 2-1 PAOK-un e Enea Mihajt, Leiçester-PSV u mbyll në barazim pa gola, kurse Fejnord-Sllavia Pragë përfundoi me rezultatin 3-3.

Në Ligën e Europës, Barcelona barazoi 1-1 në Gjermani ndaj Eintrahtit të Frankfurtit. Ishin gjermanët që kaluan të parët na vantazh me Knauf, për katalanasit barazoi Ferran Tores. Po 1-1 u mbyll edhe ndeshja mes Lajpcigut dhe Atalantës së Gjimshitit, që mungoi për shkak dëmtimi. Uest Hemi dhe Lioni gjithashtu barazuan 1-1 dhe e vetmja skuadër që fitoi në çerekfinale është Braga, që mundi 1-0 Gllasgou Rejnxhërs.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë