Futboll

Video/ Roma bën vetëvrasje të dyfishtë, Juventusi e shkrin për 7 minuta

Ndeshje thriller në “Olimpico”, ku Roma, që udhëhiqte 3-1 deri 20 minuta para fundit ndaj Juventusit, në fund ka dalë pa pikë dhe me një goditje të fortë psikologjike, që ndoshta do ta vuajë gjatë. Alegri ka triumfuar 3-4 ndaj Mourinjos, të cilit ndoshta nuk i ka ndodhur më parë të humbë një ndeshje, duke qenë në avantazh të dyfishtë.

Dibala barazoi shifrat në pjesën e parë, pasi Abraham kishte kaluar Romën në avantazh. Mkhitarian dhe Pelegrini më pas e çuan rezultatin në 3-1 dhe Roma i kishte të gjitha mundësitë për të administruar ndeshjen, por 7 minuta “blackout”-i hodhën në erë gjithçka.

Juventusi shkurtoi në 3-2 me Lokatelin dhe më pas barazoi me Kulusevskit, pas konfirmimit edhe të VAR-it. De Shiljo, “heroi që s’e pret”, do të kalonte Juventusin në avantazh me golin e katërt.

Fati i dha Romës edhe një mundësi të dytë, me një penallti dhe një karton të kuq për De ligt, por nuk ishte e thënë. Lorenco Pelegrini, i cili realizoi një gol spektakolar me goditje dënimi, gaboi nga pika e bardhë dhe rezultati mbeti 3-4 deri në fund. Juventusi ngjitet në kuotën e 38 pikëve dhe mban vendin e 5-të, kurse Roma mbetet në kuotën e 32 pikëve.

Marash Kumbulla qëndroi në stol gjithë kohën, edhe pse këtë herë Mournjo nuk kishte Mançinin të skualifikuar. Në rolin e tij portugezi preferoi Kristanten, një mesfushor, duke injoruar mbrojtësin kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë