Futboll

Video/ Rebiç i përgjigjet Moratës dhe mban Milanin në krye, Juventusi në krizë

Ka përfunduar në barazim 1-1 ndeshja e madhe e javës së 4-t të Serisë A mes Juventusit dhe Milanit. Një rezultat, që i lejon kuqezinjtë të kapin Interin në krye, me 10 pikë, kurse bardhezinjtë mbeten pa fitore dhe kanë vetëm 2 pikë në tabelën e renditjes. Ndeshja pati edhe momente tensioni, ku Dibala dhe Tonali u kapën me njëri-tjetrin.

Me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 4-t, Morata kaloi në avantazh të zotët e shtëpisë, duke vrapruar më shpejt se të gjithë dhe duke mposhtur mposhtur Maingnan. Juventusi e ka ndeshjen në kontroll dhe i shkon shumë pranë golit të dytë me Moratën dhe Dibalën, por pa rezultat.

Pioli u detyrua të zëvendësonte Kjaerin me Kalulun që në pjesën e parë, pasi danezi u dëmtua. Loja e Milanit u rrit në pjesën e dytë dhe në minutën e 76-të Rebiç ia doli të barazonte me kokë. Një gol që shtangu Juventusin, madje mund të shkonte më keq, pasi Kalulu pati një mundësi shumë të mirë për golin e dytë, por këtë herë shpëtimtar u bë portieri Shezni.

Alegri nuk po arrin të shijojë fitoren e parë në krye të Juventusit. Me vetëm 2 barazime në 4 ndeshje, skuadra e tij qëndron në zonën e rënies dhe me siguri irritimi i tifozëve do të rritet edhe më shumë ndaj tij dhe futbollistëve.

Juventus-Milan 1-1
Juventusi (4-4-2): Shezni, Danilo, Kielini, Bonuçi, Aleks Sandro, Kuadrado (Kieza), Bentankur, Lokateli, Rabiot, Dibala (Kulusevski), Morata (Kean). Trajner: Alegri
Milani (4-2-3-1): Maignan, Tomori, Kjaer (Kalulu), Romanjoli, Teo Hernandez, Kesi (Benaser), Tonali, Saelemaekers (Florenci), Brahim Diaz (Maldini), Leao, Rebiç. Trajner: Pioli
Arbitër: Doveri
Shënues: Morata 4’/ Rebiç 76’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë