PSG është finalistja e parë e Champions League për këtë edicion. Francezët fituan pas fitores 3-0 ndaj gjermanëve të Leipzig. Sukses historik për PSG pasi për herë të parë shkon në një finale të Champions League. Një ndeshje, që foli thuajse e gjitha për ta.
PSG e nisi me vrull ndeshjen, ku pasi goditën shtyllën me Neymar dhe iu anulua një gol Mbappe, kaluan në avantazh në minutën e 13-të falë një goli të mbrojtësit Marquinhos, i cili realizoi mjaft bukur me kokë pas një krosimi të Di Maria. Pikërisht katër minuta përpara fundit të pjesës së parë, ishte argjentinasi që shënoi golin e dytë për francezët, ku gjithçka nisi nga një gabim i portierit Gulacsi.

Për të hipotekuar këtë sukses historik, mendoi Bernat, i cili shënoi golin e sigurisë për francezët, të cilin VAR e konfirmoi të rregullt, përpos protestave të Leipzig për pozicion jashtë loje. PSG e sheh veten për herë të parë në finalen e Championsit, aty ku do të presë fituesin e çiftit Bayern-Lyon

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




