Gazeta Si Seanca parlamentare e të hënës nuk u zhvillua në kushte normale. Seanca u ndërpre pas dy orësh punime jo të zakonshme. Punimet u ndërprenë njëherë për shkak të mungesës së energjisë elektrike për arsye teknike dhe dy herë të tjera për shkak të bllokimit të foltores së Kuvendit nga Sali Berisha.

Flamur Noka ishte ai që pamundësoi më pas fjalën ndaj disa deputetëve të PS-së duke i rënë bilbilit ndërsa Taulant Balla propozoi mbylljen e seancës.
Ndërkohë para Kuvendit po zhvillohej protesta e paralajmërar nga mbështetës të Berishës dhe Metës.
Për disa minuta protesta u shoqërua me tensione ku protestues hodhën flakadanë ndaj policisë duke bërë që gordoni i perimetrit të sigurisë të forcohej nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Protestuesit ndërkohe ndiqnin edhe punimet e seancës përmes një ekrani të madh të vendosur në njërin kah të protestës.
Ndërkohë, 27 deputetë të PS firmosën për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, me pretendimin se përdorur gjuhë dhune ndaj grave të Kuvendit.
“Edi Rama i damkosur me skandalin McGonigal kishte bindur zonjat e PS-së në parlament se akuzat e mia dhe se skandali McGionigal nuk kishte në epiqendër Edi Ramën, por disa afera, aksesore në pabet dhe klubet e Tiranës.
Po kishte turp më të madh se sa të protestonin për deklarata unë i kam bërë në konferencë shtypi, takim me gazetarë dhe të shpreheshin sikur ishte secila prej tyre e akuzuar.
Unë ua thashë në parlament. Çdo të dhënë unë do të ua dorëzoj komisioneve hetimore parlamentar këtu e në SHBA.
Në natyrën time nuk keni parë kurrë të publikuar ndonjëherë në FB, asnjë video apo foto të karakterit erotik sepse unë nuk merrem me to. Në këtë rast, fakti që reaguan kaq fuqishëm këto zonja, më bën mua të hetoj edhe tre herë më shumë në çdo drejtim.
Tani ky reagim kolektiv i zonjave socialiste ishte miza pas veshit. Atëherë unë do të hetoj edhe dhjetë herë më shumë për ti shkuar deri në fund edhe kësaj piste, krejtësisht tretësore”, tha Berisha pas përfundimit të seancës.
Berisha tha në fund të seancës se protestat do të vijojnë dhe se heres tjeter do te jene protestuesit qe do te vendosin nese duhen lejuar punimet e Kuvendit ose jo
“Kryesore është lidhja e dy tradhtarëve, McGonigal tradhtari kombit amerikan dhe Edi Rama tradhtar i kombit shqiptar Ne themi përsëri çështja numër një e parlamentit është që ky parlament ose do u japë zgjidhje këtyre probleme ose nuk do të trajtojë çështje tjetër. Prania juaj këtu i detyroi të largohen nga parlamenti. Por herën tjetër duhet t’u marrin leje ju për t’u larguar nga parlamenti. Më mirë zbatoni rregullat dhe ligjet. Janë 750 mijë zgjedhës. Rroftë revolucioni dhe rrofshi ju”.

Protesta
Në fillim te seancës së orës 17.00 të mbasdites, Garda nuk ka lejuar deputetët e përjashtuar me 10 ditë nga Kuvendi. Luciano Boci i ka kërkuar Gardës vendimin e shkruar, ndërsa protestuesit jashtë perimetrit të sigurisë thërrisnin: Parlamenti i krimit, Rama ik!. Ndërkohë në fillim të seancës është ndërprerë energjia elektrike. Energjia është shkëputur vetëm në sallën e madhe të seancave plenare, ndërsa korridoret e Kuvendit vezëllitnin nga drita.
Luciano Boci tha se ndaj tyre është vetëm masë disiplinore që do të thotë sipas tij, ata kanë të drejtë të hyjnë dhe të mos flasin. Pas disa tratativash, ata janë larguar nga dera kryesore e Kuvendit.
Ndërkohë pas ndërprerjes së energjisë, ka reaguar zyrtarisht Kuvendi.
“Seanca u nderpre sepse u dogj pajisja UPS, e cila sherben per balancinin e energjise ne sallen e seancava plenare.
Pajisja UPS funksionon ekskluzivisht per sallen e seancave, per shkak te sistemin elektonik.
Po punohet per zevendesimin e pajisjes”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Pak minuta më pas, disa protestues kanë tentuar të cajnë kordonin e Policisë duke hedhur flakadanë dhe mjete të forta në drejtim të tyre. Kanë ndërhyrë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë duke krijuar një kordon sigurie.
Situata tensionuese ka zgjatur për disa minuta ndërsa thirrja e vazhdueshme nga protestuesit ishte: Rama ik, parlamenti i turpit, parlamenti i krimit

Forcat e Policisë së Shtetit, u përqendruan këtë pasdite para Kuvendit, pasi jashtë ambienteve u mbajt protesta e paralajmëruar e orës 17:00 nga opozita.

Teksa socialistët ishin brenda në seancë plenare, demokratët që mbështesin Sali Berishën ishin jashtë duke protestuar, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Kjo ka bërë që policia të shtojë sigurinë në perimetrin e Kuvendit, për të parandaluar incidentet e mundshme.
Sikurse duket në video, në ambientet e jashtme të Kuvendit ka pasur një prani të shtuar të punonjësve të policisë dhe disa mjete të blinduara, përfshirë dhe autobotë me ujë.

Rreth 1100 efektivë policie ishin në gatishmëri për protestën e opozitës para Parlamentit.
Gjithë perimetri i godinës së seancave plenare ishte i rrethuar me uniforma blu, ndërsa në të gjithë zonën u shtuan masat e sigurisë.
Në vijën e parë qendruan forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”, ndërsa ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA ishin fillimisht në pjesën e anësore të parlamentit.
Protesta e kësaj të hëne, vjen pas asaj që u mbajt të shtunën para kryeministrisë, ku në fund të saj u paralajmërua një valë tubimesh deri në dorëheqjen e kryeministri Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



