Bayern Munchen ka vuajtur shumë për të marrë fitoren e dytë në kampionat, duke hedhur pas krahëve humbjen 4-1 të një jave më parë në transfertën ndaj Hoffenhaimit. Bavarezët fituan 4-3 në limite ndaj Hertha Berlin, ku protagonist ishte Robert Lewandowski. I karikuar maksimalisht nga çmimi “Futbollisti më i mirë i vitit” që mori pak ditë më parë nga UEFA, bomberi bavarez arriti të shënojë të 4 golat mbrëmjen e sotme, duke zhvlerësuar tentativën e berlinezëve për të marrë të paktën një pikë në “Allianz Stadium”.
Bayern është zhbllokuar në minutën e 40’ dhe në fillim të pjesës së dytë polaku shënoi edhe golin e dytë, por reagimi i Herthës ishte mjaft i mirë dhe fillimisht me Cordoba në 60’ dhe pastaj Cunha në 71’, arritën të rikthejnë baraspeshën.

Minutat e fundit ishin vërtetë emocionuese, pasi Lewandowski shënoi golin e tretë në minutën e 85’, ndërsa 3 minuta më vonë Hertha e Berlinit riktheu sërish baraspeshën, duke dhënë idenë se do të merrte të paktën një pikë në këtë transfertë. Megjithatë Bayern fillon penallti dhe në të 92’ Lewandowski shënon golin e katërt dhe të fitores. 104 gola për të në Allianz Arena.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




