Euro 2020

Video/ Pogba fal Rudigerin për kafshimin në shpinë, por UEFA mund të ndërhyjë

Ishte më pak evident se kafshimi i Luis Suarezit ndaj Kielinit në Botërorin e 2014-ës, por gjithsesi ishte një gjest shumë i shëmtuar. Dhëmbët në kurrizin e Pol Pogba në sfidën mes Francës dhe Gjermanisë mund t’i kushtojnë një ndëshkim Antonio Rudigerit, edhe pse mbrojtësi gjerman nuk mori karton dhe aksioni nuk u pa në VAR.

Në minutën e 45-të, Rudiger, gjatë markimit të Pogba vendos gojën në shpinën e kundërshtarit dhe duket se i jep një kafshim. Francezi proteston menjëherë tek arbitri Juan Carlos Yuste Jimenez. “Më kafshoi pak, e ndjeva, ia thashë arbitrit, – shpjegoi Pogba. – Nuk mori asnjë karton dhe nuk dua që të pezullohet për atë situatë. Në fund u përqafuam dhe umbyll gjithçka aty”.

Arbitri vazhdoi lojën, nuk u pa aksioni në VAR, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë një dënim me provë televizive nga UEFA. Për “Zdf”, televizionin që transmeton ndeshjet e Gjermanisë, Kristof Kramer, kampion bote në 2014-ën, për këtë episod tha: “Tani që është edhe VAR-i, mund të qetësohemi për faktin që Pogba nuk ulëriti dhe nuk u shtri në tokë. Në përsëritje duket që ka një kafshim”.

Edhe dy ish-lojtarë të Gjermanisë, Mikael Balak dhe Per Mertesaker, i kanë tërhequr veshin Rudigerit. “Nuk arrij ta kuptoj, – tha Mertesaker, – duhet të fitojmë duelet, të jemi të përqendruar dhe jo të kafshojmë kundërshtarët. Nuk e di çfarë i ka shkuar në mendje”. I ashpër edhe Balak: “Të tilla gjëra në fushë nuk duhet të ndodhin. Do të ishte më mirë të mos i shihnim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë