Ka përfunduar në çerekfinale të Kupës së Italisë ëndrra e Etrit Berishës, portierit të Kombëtares së Shqipërisë, për të shkuar deri në fund të kompeticionit. Spali i tij është mundur thellë, 4-0, nga Juventusi, që bëhet skuadra e tretë gjysmëfinaliste, pas Interit dhe Atalantës. Në gjysmëfinale bardhezinjtë do ndeshen me Interin.
Trajneri Andrea Pirlo hodhi në fushë një formacion të përbërë kryesisht nga lojtarë të stolit, si dhe disa të rinj. Në portë u aktivizua veterani Bufon, ndërsa titullarë si Bonuçi, Kielini, Kuadrado, Artur dhe Kieza ishin në stol. Kristiano Ronaldo nuk ishte grumbulluar fare për këtë ndeshje, ku Juventusi nuk hasi vështirësi.
Alvaro Morata shënoi golin e parë me një penallti të akorduar me VAR, ndërsa pas tij realizuan edhe Frabota, Kulusevski dhe Kieza. Paraqitja e Berishës ishte e mirë në këtë ndeshje, por mbrojtja para tij e pati shumë të vështirë ta përballonte sulmin e Juventusit. Spali, që luan në Serinë B, kishte pasur një ecuri mjaft të mirë në Kupën e Italisë, por rrugëtimi i Berishës me shokë në këtë kompeticion është ndalur në çerekfinale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.