Fitore bindëse e Partizanit në ndeshjen e parë të 2022-shit. Të kuqtë, tashmë me Dritan Mehmetin në stol, kanë mundur 0-3 Egnatian në stadiumin e Rrogozhinës, duke e nisur në mënyrën më të mirë këtë vit.
Ishte një ndeshje e mbushur me episode. Pasi shpëtuan nga një traversë e Egnatias në pjesën e parë, kryeqytetasit shpërthyen me 3 gola në pjesën e dytë. Sapo nisi kjo pjesë, Esat Mala realizoi një gol mjaft të bukur dhe i dha avanatzhin Partizanit. Më pas do të dyfishonte Skuka, një nga afrimet e janarit, kurse Rrapaj “vulosi” rezultatin me golin e tretë.
Në formacionin e Partizanit është kthyer dyshja Belica-Bitri, pasi beratasi u largua nga Kazakistani dhe u ribashkua me të kuqtë. Prapavija duket se ka fituar më shumë siguri me Bitrin, ndërkohë që në këtë ndeshje është përgjigjur mirë edhe sulmi. Megjithatë, është vetëm prova e parë e kaluar me sukses dhe duhet pritur për të konfirmuar ndryshimin e Partizanit, tashmë në kuotën e 21 pikëve.
Nuk kanë shkuar gjërat mirë për Teutën kampione në fuqi, që është mundur 2-0 nga Kastrioti i vendit të fundit. Greca shënoi golin e parë të Superiores për 2022-shin, duke kaluar krutanët në avantazh, ndërsa në pjesën e dytë Ajazi i dha Teutës goditjen fatale me golin e dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




