Gazeta Si – Fitore e thellë e Partizanit në “Air Albania”, 5-0 ndaj Kukësit të vendit të tretë. Një ‘shuplakë” e fortë kjo për skuadrën e italianit Diego Longo, që mund të ketë pasoja më të mëdha se ato të fushës.
Ndeshja u shoqërua me polemika në fakt, pasi Partizani e zhbllokoi rezultatin me një penallti shumë të diskutueshme, që u konfirmua nga VAR-i. Skuka pati një kontakt të lehtë me Hilën, që u konsiderua penallti. Kuksianët e kontestuan shumë këtë vendim, ashtu si dhe ekzekutimin e penalltisë ngë Kallaku, për shkak të hapave të tij.
Më pas Partizani vazhdoi “festivalin” e golave në portën e Kukësit, ku shënuan edhe Skuka, braziliani Xhunior, Lika dhe Herald Marku. Të kuqtë ngjiten në kuotën e 33 pikëve dhe i afrohen 4-shes së parë. Kukësi mbetet me 38 pikë, por kjo humbje e thellë, e dyta në 3 ndeshjet e fundit, është një goditje e rëndë.
Tirana ka mundur sot pa shumë probleme edhe Teutën, me rezultatin 0-2. Taulant Seferi realizoi dy golat e fitores për bardheblutë, që shkëputen kështu në 9 pikë për momentin. Ata kanë 52 pikë, kurse Laçi 43, por ka një ndeshje më pak, atë me Egnatian që e zhvillon të enjten.
Abissnet Superiore, java e 23-të
Sot
Partizani-Kukësi 5-0
Teuta-Tirana 0-2
Të enjten
Vllaznia-Dinamo
Laçi-Egnatia
Kastrioti-Skënderbeu
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




