Futboll

Video/ Partizani “alergjik” ndaj fitores, tjetër gafë e pafalshme e Hoxhës

Partizani nuk po arrin të dalë nga errësira që e ka pushtuar që në startin e këtij kampionati. Edhe ndaj Egnatias, ku pritej fitorja e parë e të kuqve, gjithçka ka shkuar keq për skuadrën e Ilir Dajës, që ka marrë vetëm 1 pikë pas barazimit 1-1.

Për t’ia bërë jetën më të vështirë Partizanit ka menduar sërish portieri dhe kapiteni Alban Hoxha, i cili me një gafë që në minutat e para, ka ndihmuar rrogozhinasit të kalojnë në avantazh. Hoxhës i ka shpëtuar topi nga duart pas një gjuajtjeje ballore të Xhekson dhe më pas është detyruar ta nxjerrë nga rrjeta. Portieri kishte gabuar rëndë edhe në ndeshjet me Teutën dhe Skënderbeun.

Situata për të kuqtë është komplikuar edhe më shumë pas dëmtimit të dy lojtarëve që në mesin e pjesës së parë dhe trajneri Daja është detyruar të bëjë dy ndërrime. Saliu dhe Murataj kanë zënë vendin e Damçevskit dhe Gueje. Partizani barazoi në fundin e pjesës së parë me Tedi Carën, i cili shfrytëzoi një spondë të Markut në zonë. Filipoviç për të kuqtë humbi disa raste në këtë ndeshje, ku goditi edhe shtyllën.

Përpjekjet e kryeqytetasve gjatë 45 minutave të fundit nuk u finalizuan me gol, madje në një moment ata shpëtuan mirë, teksa një gjuajtje-kros e Allmuçës u përplase në traversë. Egnatia arrin të marrë pikë në “Air Albania”, ndërsa Partizani duket alergjik ndaj fitores dhe pas 7 javësh kampionat ka vetëm 5 pikë në tabelën e renditjes.

Edhe Teuta kampione ka barazuar 1-1 me Kastriotin. Një tjetër rezultat i papritur ky në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Durrsakët gjetën golin me Ildi Grudën, por krutanët barazuan me Mudrazijan në fundin e ndeshjes. Gjatë kësaj ndeshjeje ka pasur edhe momente paniku, pasi mbrojtësi Gërgiç i Kastriotit, pas një përplasjeje, është dëmtuar në kokë dhe është transportuar për në spital për ndihmë më të specializuar.

Renditja e Superiores kryesohet nga Tirana me 17 pikë, e ndjekur nga Kukësi me 14 pikë e më pas Teuta me 12 pikë. Në vend të fundit qëndron Skënderbeu me vetëm 3 pikë.

Abissnet Superiore, java e 7-të
Sot
Partizani-Egnatia 1-1
Teuta-Kastrioti 1-1
Të shtunën
Laçi-Skënderbeu 2-0
Vllaznia-Tirana 0-2
Të premten
Dinamo-Kukësi 0-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë