Kombetarja

Video/ Një penallti shpëton kuqezinjtë, Shqipëria e mbyll e treta në grup

Shqipëria i mbyll në vend të tretë eliminatoret e Botërorit, me 18 pikë, pas fitores 1-0 me Andorrën në “Air Albania”. Asgjë për t’u mbajtur mend edhe ndaj një kundërshtari shumë të dobët, përveç trepikëshit që ishte një detyrim dhe që erdhi nga pika e bardhë e penalltisë. Kuqezinjtë kanë vuajtur shumë në këtë ndeshje pa tifozë për ta çuar topin në rrjetë. Një lojë konfuze dhe pa ritëm nga skuadra jonë, me shumë pasime të gabuara.

Myrto Uzuni “vodhi” një penallti 18 minuta para fundit dhe Endri Çekiçi e ktheu atë në gol, duke i dhënë Shqipërisë fitoren në një ndeshje, që po shkonte në drejtimin e gabuar, pavarësisht përqindjes së lartë të mbajtjes së topit në raport me kundërshtarin. Mungesat e shumë titullarëve nuk mund të jenë justifikim përballë një ekipi si Andorra.

Kombëtarja jonë nuk pati qartësinë e duhur dhe e mori ndoshta më lehtë këtë ndeshje, madje në ndonjë rast edhe rrezikoi të pësonte gol. Roshi ishte pa fat kur goditi shtyllën në pjesën e parë, ndërsa Seferi dhe Uzuni nuk arritën t’i shfrytëzonin kroset e tij nga krahët.

Trajneri Reja, mjaft nervoz nga loja e të tijve, hodhi në fushë në pjesën e dytë edhe Muçin dhe Bajramin, të cilët intensifikuan sulmet dhe i dhanë shpejtësi manovrës sulmuese deri në zhbllokimin e rezultatit. Kuqezinjtë ishin afër dyfishimit në një sulm të shpejtë, por Bajrami u tregua egoist dhe nuk pasoi për Roshin e lirë. Edhe pa tension në fund, por kuqezinjtë arrijnë ta ruajnë rezultatin dhe tani është koha për të bërë një bilanc të këtyre kualifikueseve.

Shqipëri-Andorra 1-0
Shënues: Çekiçi 74’ (penallti)
Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Mihaj, Dermaku, Hoxhallari (Lenjani), Roshi, Ramadani (Bajrami), Laçi, Çekiçi, Uzuni, Seferi (Muçi). Trajner: Reja
Andorra: Gomes, San Nikolas, Garsia, Alavedra, Cervos, Vieira, Martinez, Puzhol, Alaez, Rosas. Trajner: Alvarez


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë