Futboll

Video/ Një fazë e tërë me ‘frena dore’, Partizani nuk u ndahet barazimeve

Një tjetër barazim, i 6-i për Partizanin në 9 ndeshjet e fazës së parë të kampionatit. Një fazë e tërë kjo me “frena dore” për të kuqtë, të cilët kanë grumbulluar vetëm 9 pikë. Me një mesatare 1 pikë për ndeshje, skuadra e Dajës duket më shumë si një skuadër mbijetese se një skuadër që mund të luftojë për trofe.

Edhe me Laçin gjithçka është mbyllur 1-1, një rezultat që Partizani e ka regjistruar më shpesh deri tani. Madje, në “Air Albania” mund të shkonte edhe më keq, nëse kurbinasve nuk do t’u anulohej një gol me VAR, që do të ishte i dyti dhe do të vuloste kapitullimin e të kuqve. Laçi realizoi me një penallti të dhënë me VAR në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë ishte Cara ai që i shpëtoi të kuqtë. Edhe goli i tij u konfirmua nga VAR-i.

Partizani humbi disa raste të pastra, ku veçohen ato të Kaçes dhe Zhuniorit, por fakt është se kjo skuadër nuk di të fitojë dhe me këtë ecuri rrezikon seriozisht edhe kupat e Europës, pasi për titullin as që bëhet fjalë. Tashmë kanë nisur edhe përplasjet me një pjesë të tifozëve, të cilët në fund nuk pranuan as përshëndetjen e lojtarëve. Ata kontestojnë po ashtu trajnerin Daja dhe drejtuesit e klubit.

Laçi në anën tjetër po ecën mjaft mirë me Mirel Josën në stol. Edhe barazimi i sotëm është një rezultat i mirë për këtë skuadër, po të kemi parasysh se është arritur në transfertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë