Futboll

Video/ Nga “ferri” në “parajsë”, Milani përmbys Veronën dhe fle si kryesues

Milani nuk vdes kurrë. Përmbys ndeshjen me Veronën nga 0-2 në 3-2 dhe merr kryesimin e Serisë A me 22 pikë. Një vajtje në “ferr” dhe kthim për kuqezinjtë, të cilët u gjendën në vështirësi gjatë pjesës së parë, pas golave të Kaprarit dhe Barak me penallti.

Ndërrimet e trajnerit Stefano Pioli në pjesën e dytë kanë sjellë ndryshimin dhe Milani ka bërë përmbysjen e madhe. Sidomos Kastilejo dhe Leao ishin ata që i dhanë lojës së Milanit një tjetër marsh.

Në minutën e 59-të Olivier Zhiru ka rihapur ndeshjen, duke shënuar me kokë golin e parë. Pastaj, në minutën e 76-të Kastilejo fitoi një penallti që u kthye në gol nga Kesi, i cili barazoi shifrat në 2-2.

Vetëm 2 minuta më pas spanjolli ishte protagonist në aksionin e golit të fitores, më saktë autogolit të Gunter, që i ka dhënë 3 pikë të rëndësishme Milanit, që pret i qetë ndeshjen e Napolit.

Duhet theksuar se Milani kishte edhe shumë mungesa në këtë ndeshje, si portierin Maignan të dëmtuar dhe Teo Hernandez dhe Brahim Diaz të ndalur nga Covid-19. Ka luajtur disa minuta në pjesën e dytë ndërkohë Zllatan Ibrahimoviç, që ka lënë pas dëmtimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë