Gazeta Si – Napoli ka fituar 1-2 në “Olimpico” ndaj Lacios dhe, duke përfituar nga hapat falsë të Milanit dhe Interit, është ngjitur në vend të parë të Serisë A. Skuadra e Spaletit ka 57 pikë, po aq sa dhe Milani, por kryeson me golaverazh më të mirë se kuqezinjtë.
Napoli vuajti për më shumë se një orë, por arriti të kalonte në avantazh me Insinjen, i cili goditi saktë me të djathtën nga jashtë zonës. Pedro barazoi shifrat dy minuta para fundit të kohës së rregullt, kurse në minutën e 4-t shtesë ishte spanjolli Fabian Ruiz ai që i dhuroi Napolit tri pikët e kreut të Serisë A.
Ishte edhe një sfidë mes shqiptarëve kjo ndeshje, me Tomas Strakoshën dhe Elseid Hysajn përballë Amir Rrahmanit. Ka festuar ky i fundit në fund për një fitore shumë të rëndësishme, që e bën të ëndërrojë titullin kampion në Itali.
Rrahmani dhe Strakosha ishin titullarë në këtë ndeshje, kurse Hysaj u fut në fushë në pjesën e dytë. Portieri kuqezi u vlerësua me notën 6.5 për paraqitjen e bërë, ndërsa dy shqiptarët e tjerë me notën 6.
Titullar luajti këtë javë edhe Marash Kumbulla. Roma e tij fitoi 0-1 në fushën e Specias, por për mbrojtësin kuqezi mungoi dueli me Rei Manajn, pasi ky i fundit ishte i skualifikuar për shkak kartonësh për këtë ndeshje. Roma shënoi me penallti në minutën e 9-të shtesë, ndërkohë që Specia luajti me një lojtar më pak gjatë gjithë pjesës së dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




