Uruguaiani Federiko Valverde ishte vendimtar në finalen e Superkupës së Spanjës, ku Real Madrid fitoi me penallti. Ai u bë protagonist në një mënyrë jo sportive, por efikase: ndali Moratën para se të hynte në zonë, i vetëm përballë Kurtua, me një ndërhyrje të ashpër nga prapa. U ndëshkua me karton të kuq, por ia vlejti, sepse shpëtoi Realin nga goli dhe u shpall njëkohësisht lojtari më i mirë i finales.
Futbolli është lojë skuadre dhe ndonjëherë ia vlen të marrësh ndonjë “plumb” për të shpëtuar shokët. Ia vlen të shpëtosh një ndeshje dhe aq më shumë një finale. Në këtë rast të vjen në mendje Luis Suarez, i cili në Botërorin e 2010-ës priti si portier një top në kohën shtesë, duke i mohuar golin Ganës. Sulmuesi mori karton të kuq, por Uruguai e çoi ndeshjen me penallti dhe fitoi. Një skenë që bëri bujë dhe që Federiko Valverde e ka mbajtur mend mirë, pasi edhe ai është uruguaian.
Mesfushori i dha Realit Superkupën, edhe pse doli me të kuq në minutën e 114-të. Pa atë ndërhyrje të tij, në kuptimin e plotë të fjalës, me shumë mundësi “Gran Capitan” Serxho Ramos nuk do të shënonte me penallti dhe nuk do ta ngrinte lart trofeun. Valverde ndërpreu kundërsulmin vrastar të Atletikos, duke bërë ndërhyrjen e ndeshjes ndaj Moratës. Një faull i rëndë nga prapa dhe direkt i kuq, por rezultati ishte ajo çfarë lojtari i Realit donte: ta mbante ndeshjen 0-0.
Valverde u shpall lojtari i ndeshjes dhe ndërhyrja e tij bëri xhiron e botës. Veprimi i tij është aprovuar edhe nga trajneri kundërshtar, Diego Pablo Simeone, i cili e mbrojti uruguaianin në konferencë shtypi. “Ishte momenti më i rëndësishëm i ndeshjes. I thashë se çdo lojtar që do të ishte në vendin e tij, ashtu do të vepronte. E meriton çmimin “lojtari i ndeshjes”, sepse Valverde fitoi lojën me atë aksion. Bëri atë që duhej të bënte,” – tha Simeone, i cili mund ta kuptojë një mesfushor më mirë se askush tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.