Fitore e vuajtur e Portugalisë së Kristiano Ronaldos në ndeshjen e parë të Grupit F – një grup i hekurt, ku bëjnë pjesë edhe Franca dhe Gjermania, – ku ka mundur 3-0 Hungarinë në Budapest. Të 3 golat u shënuan në minutat e fundit. Muri hungarez ra në të 84’, kur gjuajtja e Guerreiros u devijua nga Orban. Pas 3 minutash Ronaldo dyfishoi me penallti dhe në shtesë trefishoi, duke vendosur një rekord tjetër.
Rezultati 3-0, me të cilin Ronaldo me shokë dolën nga fusha në një grup, ku çdo gol mund të bëjë diferencën, është disi i gënjeshtërt. Luzitanët janë përplasur për 84 minuta lojë kundër një Hungarie të organizuar në mbrojtje. Para golit të Guerreiros, me ndihmën e një devijimi, Portugalia kontrolloi lojën, por krijoi vetëm dy raste të pastra me Ronaldon dhe me Bruno Fernandesin.
Hungaria luajti e tërhequr para 60 mijë spektatorëve në “Puskas Arena”. Ishte afër barazimit, shënoi edhe një gol që u anulua për pozicion jashtë loje pak para se Portugalia të godiste. Në 5 minutat e fundit Portugalia shfryu me Kristiano Ronaldon, që realizoi me penallti golin e dytë dhe në shtesë të tretin, duke u bërë kështu shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Europian, me 11 gola. Portugezi ka parakaluar një legjendë, francezin Mishel Platini.
Hungari-Portugali 0-3
Hungaria (3-5-2): Gulacsi, Botka, Orban, Szalai, Lovrencsics, Kleinheisler (Siger), Nagi, Shafer (Nego), Fiola, Ad.Szalai, Sallai (Shon). Trajner: Rosi.
Portugalia: Rui Patricio, Semedo, Dias, Pepe, Guerreiro, Danilo, Karvalho (Sançes), Fernandes, Ronaldo, Diogo Jota (Andre Silva), Bernardo (Rafa). Trajner: Santos.
Arbitër: Çakir (Turqi)
Shënues: Guerreiro 84’, Kristiano Ronaldo 87’, 92’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.